Pas një beteje të gjatë me kancerin ka ndërruar jetë në “University College Hospital” regjisorja e njohur, Vjosa Berisha. Lajmin e trishtë e bëri me dije partneri i saj, Fatos Berisha, përmes një postimi në rrjete sociale. Në një intervistë të para pak muajve, Vjosa rrëfeu betejën e ashpër me këtë sëmundje, ku ndër të tjera shprehej  se nuk e konsideronte veten një paciente pasi kjo nuk e kishte privuar të bënte gjërat që donte.

Ajo ishte 50-vjeç dhe ishte padyshim shëmbëlltyrë e rrallë e forcës dhe dhimbjes. Vjosa nuk foli kurrë për vdekjen. Vetëm për jetën!

“Motoja ime në gjithë këtë proces, sepse unë jam ende duke marrë kimioterapi, është se përderisa nuk ma pengon jetën e përditshme, nuk ma pengon punën, dmth, jam unë zhvilluar një jetë, siç e kam zhvilluar para se ta zbuloj kancerin që e kam në trup dhe përderisa mua nuk më pengon në asnjë hap timin, atëherë unë do të vazhdoj edhe do ta jetoj jetën siç e mendoj. Siç e kam jetuar gjithmonë.

Kjo pastaj ka bërë që edhe për Fatosin, edhe për Lekën, djalin tim, të merret si diçka normale. Sigurisht kam marrë këshilla edhe prej njerëzve që e kanë tejkaluar sëmundjen. Një gjë që mund ta them është se nëse e mendojmë dhe sillemi rrotull, ka shumë më shumë njerëz që shërohen nga kanceri, sesa njerëz që vdesin nga kanceri.Domethënë është sëmundje që neve e shohim si të rrezikshme, madje moshat e vjetra nuk duan ta thonë as si emër. Emrin e sëmundjes nuk e thonë. Edhe tek ne, edhe tek ju. Edhe i thonë sëmundje e keqe”, u shpreh Vjosa në intervistën e saj me Mira Kazhanin.