Kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit fizik po i çojnë shqiptarët drejt obezitetit. Mjekët dhe dietologët apelojnë për kujdes me ushqimin, pasi obeziteti shoqërohet me shfaqjen e disa sëmundjeve që rrezikojnë jetën. Kequshqyerja, e nxitur nga obeziteti dhe nga uria, ka përfshirë botën, thuhet në një studim të ri.

Raporti Global i të Ushqyerit për vitin 2020 nxjerr në pah se 44 përqind e vendeve po përjetojnë “nivele shumë serioze” edhe të kequshqyerjes, edhe të obezitetit. Sipas raportit, kjo nënkupton se një në tre persona vuan nga kequshqyerja në njëfarë forme. Ndërkohë që edhe qytetarët e vënë theksin  tek konsumimi i ushqimeve të shpejta, ndërsa nënvizojnë faktin se nuk kanë më besim as në kontrollet e shtetit.

Obeziteti, e konsideruar si sëmundja e shekullit tashmë po prek edhe shqiptarët. Statistikat e Institutit të Shëndetit Publik dhe Instat tregojnë se 45% e femrave dhe 53% e meshkujve të grup moshës 15-49 vjeç ishin mbipeshë ose obezë. Mjekët shkaqet i gjejnë tek kequshqyerja, alkooli dhe jeta sedentare.