ATSH-A. Fortuzi/ Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë pronarin e një lokali, pasi u konstatua duke ushtruar në mënyrë të përsëritur aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ.

Policia e Durrësit njofton se, “52-vjeçari ishte ndëshkuar 2 herë nga shërbimet e Policisë  më masë administrative dhe me mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, por gjatë kontrollit u konstatua përsëri duke ushtruar aktivitet në lokalin që kishte në pronësi”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin S.P., 52 vjeç, banues në Durrës, pasi ky shtetas si pronar i një subjekti në lagjen nr.15, Durrës, i cili ishte ndëshkuar 2 herë me masë administrative me nga 1.000.000 lekë si dhe me mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, u konstatua nga shërbimet e Policisë duke organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19”,- njofton Policia.

Policia Durrës apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19