Këtë të diel në kryeqytet ka nisur vaksinimi antikovid i më shumë se 20 personaliteteve mbi 80 vjeç në stadiumin “Air Albania”.

Ndër personalitet e vaksinuara ishin, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Aleksandër Meksi, Alfred Moisiu, Dhimitër Xhuvani, Pirro Milkani, Fedhon Meksi, Besim Elezi, etj si dhe të moshuar të fashës 90-vjeçare, që u organizuan nga mjekët e familjes.

Pas vaksinimit ka folur edhe regjisori Pirro Milkani i cili ishte mjaft i lumtur dhe shprehu kënaqësinë e tij për marrjen e vaksinës duke thënë se ky është i vetmi shpëtim për këtë pandemi.

“Shumë i kënaqur, është një vaksinim fare i thjeshtë, i zakonshëm. Duhet të pres 30 minuta. Unë jam shumë i kënaqur që e kam bërë mbas 6000 qytetarëve të nderuar të Republikës së Shqipërisë siç janë mjekët dhe infermierët. Unë them se kam këmbën e mbarë, për ata që janë mbi 80 vjeç. Vaksina është shpëtimi i vetëm i kësaj pandemie të keqe, nëse 100 vjet më para gripi spanjoll shkatërroi njerëzimin, do t’i kthehemi jetës normale me vaksinimin”,- tha regjisori Milkani.