Pentagoni ka rënë dakord të fshijë prodhuesin kinez të smartphone-ve, Xiaomi, nga lista e zezë e vendosur nga administrata Trump. Vetëm gjashtë ditë para përfundimit të mandatit të Donald Trump, administrata amerikane përfshiu në listën e zezë Xiaomi-n, por edhe platformën e njohur të videove, TikTok dhe gjigantin e naftës CNOOC, duke i akuzuar ata për lidhje me ushtrinë kineze.

Në apelimin e tij të paraqitur në janar për të kundërshtuar dhe anuluar vendosjen e tij në këtë listë të zezë, Xiaomi e denoncoi vendimin “të pasaktë” dhe që “e privon kompaninë nga procesi i rregullt”.

Më 15 mars, një gjykatës federal në Uashington vendosi që Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së dhe Thesari, që e kishin vendosur kompaninë kineze në këtë listë të zezë, kishin “dështuar të tregonin se interesat e sigurisë kombëtare në fjalë këtu ishin në rrezik”.

Në një dokument të paraqitur në gjykatë, avokatët e qeverisë amerikane tregojnë se ata nuk do të kundërshtojnë vendimin e gjyqtarit dhe se do të tërheqin klasifikimin si “Shoqëri Ushtarake Komuniste Kineze” që i ishte atribuuar Xiaomi-t nga qeveria amerikane.

Xiaomi, që arriti Apple duke u bërë prodhuesi i tretë më i madh në botë i smartphone-ve në 2020, ishte një nga nëntë kompanitë kineze që u përfshinë në këtë listë të zezë, realizimi përfundimtar i katër viteve tensione diplomatike midis Pekinit dhe Uashingtonit nën presidencën e Donald Trump