ATSH/ Një nga gjenitë e letërsisë shqipe, Migjeni tashmë flet edhe italisht.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi sot se është përkthyer në italisht vëllimi “Bukuria që vret”.

“Një nga gjenitë e letërsisë shqipe, i riu i përjetshëm, Migjeni tashmë flet edhe italisht.  Shtëpia botuese “Besa” dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndajnë me ne lajmin e mirë të përkthimit të vëllimit “Bukuria që vret”, mbështetur nga Fondi i përkthimit nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj. Përgëzime Ada Prizreni për punën!”, u shpreh Margariti.

Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Atë e indinjonte së tepërmi hendeku i thellë i pabarazisë midis klasave. Kjo e shtyu të pasqyronte varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. Ai i përkrahte të rinjtë me idenë revolucionare për të ndryshuar vendin. I shtynte të merrnin guximin për të vepruar.

Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në të gjitha botimet e Migjenit. Për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi. Heronjtë e veprave të tij më të mira ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. /a.a/