Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako u shpreh se “situata e krijuar nga reshjet intensive të shiut është nën kontroll të plotë dhe po ndiqet hap pas hapi nga të gjitha strukturat e linjës”.

Duke folur në mbledhjen e Komitetit ndërministror të Emergjencave Civile, që u mbajt mbrëmjen e së premtes, Çako tha se, “grupet dhe strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë dhe shtabet e ngritura kanë nisur punën për zbatimin e masave në terren në çdo rast që paraqitet nevojë apo problematikë”.

Ai tha se, lumi Drin në Lezhë është mbingarkuar nga shkarkimet e Gjadrit. Por situata është në kontoll dhe nuk ka qytetarë dhe banesa që rrezikojnë nga uji.

“Gjatë gjithë ditës së sotme të gjitha shtabet e mbrojtjes civile në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera, me FA-të, të policisë së Shtetit, strukturat e tjera kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe është shkëmbyer informacion” -tha Çako.

“Shtabet kanë hartuar planet e masave dhe kanë filluar veprimin në terren në zonat ku ka probleme. Në Shkodër, zona e Oblikës ka një pjesë të konsiderueshme nën ujë. Jemi në kontakt me drejtuesit e KESH, OSHEE për çdo veprim. Kolektorët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në punë. Është bërë një punë shumë e mirë në pastrimin e kanaleve në nivelit të parë dhe niveleve të tjera”, tha Çako.