Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj e cilësoi sot një gënjeshtër programin ekonomik të paraqitur nga Partia Demokratike, ndërsa theksoi faktin se në këtë program nuk flitet për rindërtimin.

“Domethënë po të vinin këta në pushtet, të 32 mijë familjet do ngeleshin jashtë. Asnjë fjalë për rindërtimin, 0. Asnjë fjalë për tërmetin, 0. Asnjë fjalë për pandeminë, 0”, tha Ahmetaj, në një intervistë televizive.

Ministri theksoi se “ky program ka dy elementë të gabuar në materien e vet, pra për bërjen e programit dhe ata që do ta zbatonin programin”. Por për ata që do ta zbatonin programin nuk po flas. Për programin është qesharake. E para, kur thonë taksa e sheshtë. Kjo është shkatërruese sepse e kontaminon ambientin ekonomik, përdoret vetëm në vendet populiste dhe në të gjitha vendet po të studioni politikat populiste kanë dështuar, i kanë çuar vendet jo si i yni, po vende më të strukturuara nga ana e demokracisë dhe e politikës, në ditë të zezë, më keq se sa ç ‘kanë qenë në ndonjë moment të vështirë të jetës së tyre”, tha ai.

Taksa e sheshtë, sipas Ahmetaj, “merr para nga buxheti i shtetit e ia lë oligarkëve”. “Gjithë biznesi i madh që janë 9 mijë nëpërmjet taksës së sheshtë nga 15% që paguajnë sot, do paguajnë 9%. 46 milionë dollarë. 9% e dini se çfarë u bën gjithë klasës së mesme? I shkatërron. Progresiviteti është në themel të së drejtës për ata që kanë nevojë dhe klasës së mesme dhe ne prape e kemi flamur për progresivitetin. Taksa e sheshtë, ata e ndjekin, është pika më e dobët e tyre, shkatërruese, u rrëzon çdo lloj ideje për një drejtësi të mundshme fiskale sipas tyre”, tha ai.

Lidhur me premtimin për 110 mijë vende pune, Ahmetaj theksoi se “ne kemi hapur 283 mijë, gati 300 mijë vende pune”. “110 mijë vende pune duhet të detajoheshin atje për çdo sektor por sigurisht që të gjitha ishin reklamime”, tha ai.

Ahmetaj komentoi edhe premtimin për rritje të pagave dhe pensioneve. “Thanë, do ulim sigurimet shoqërore 18%, pastaj do rrisim pensionet. Është falimentim i skemës së pensioneve. Thanë do çojmë pagën minimale 360 mijë lekë. Po ne e morëm 22 mijë dhe është 300 mijë sot. Dhe ne në planet tona, në 4-vjeçarin që vjen, që është e sigurt mandati 3 i Ramës dhe i Partisë Socialiste, me sondazhe, me frymë, me punë se në finale shaj sa të duash, bëj PR sa të duash, puna është punë”, tha ai.

Ahmetaj tha se programi i PD-së, nuk përputhet, nga ana e dëshirave falimenton vendi. “Sot janë 470 milionë dollarë deficit skema e pensioneve. Po nga furnizohet skema e pensioneve? Deficiti i skemës së pensioneve sot financohet nga taksat e qytetarëve. Tani në qoftë se ti e çon në 18% sigurimet shoqërore, ti ja rrit të paktën me 270 milion dollarë deficitin. Nga do financohet skema e pensioneve? Do lënë qytetarët pa pensione? Po t;u bjerë në dorë atyre, ta garantoj unë që i lënë qytetarët pa pensione. Nuk diskutohet fare. Llogarinë e kanë bërë se do ta bëjmë dhe do përplasemi”, tha ai.

“Llogarinë e kanë bërë që do dyfishojmë të ardhurat për frymë. Dhe me hile nuk thonë vitin. E dini çdo me thënë të dyfishosh të ardhurat për frymë ? Ne kemi qenë realistë dhe e kemi bërë. E kemi bërë. Kemi rritur të ardhurat për frymë, por do të thotë që të rritësh nga 10 deri në 14% të prodhimit të brendshëm bruto. Është flluskë, pra ata hedhin grepin thonë kush ta kapi le ta kapi nga qytetarët , po ka ndonjë budalla qe të na besojë lum si ne, po s’ka do themi po ne opozitë jemi, themi ca themi është faji juaj që na besoni”, tha Ahmetaj.

Po të ishte një parti serioze, Ahmetaj tha se “do të duhej të dilte me një kuadër dhe të thoshte që shiko e ula këtë këtu, kjo do më çojë këtu, këtë duhet ta zëvendësoj me këtë shumë, këtë duhet ta zëvendësoj me këtë politikë, dhe ja ku e kam të kuadruar që mos të më falimentojë vendi e ta katandis vendin siç e katandisa dikur, sepse ata e kanë katandisur në 96’-97’, si sudeizëm”