ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në seancën parlamentare se “projektin origjinal të Teatrit Kombëtar do t’ia rikthejmë fëmijëve”, duke shtuar se Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet aty dhe do të jetë një teatër i denjë.

“Ka njerëz të cilët më kanë bërë të reflektoj në këtë situatë për një mangësi, për një boshllëk, për një mungesë, quajeni çfarë të doni, për një lëndim, që mbase i ka ardhur nga ajo që e ke gjithmonë përpara një gjë dhe s’ia hedh asnjëherë sytë. Kur të thonë shiko se u hodh nga kati i tretë ajo goca ti thua mos, si iku”, tha Rama.

“Ne do ta marrim projektin origjinal mot à mot dhe do t’ia ua rikthejmë jo Aleancës për politikën me teatrin, jo artistëve politikanë dhe politikanëve artistë, por do t’ua rikthejmë fëmijëve si pjesë e një programi më të madh dhe përputhen gjërat dhe do ta kemi mes nesh. Jo aty dhe jo teatrin”, theksoi Rama.

Atëherë, tha Kryeministri, “do të shikojmë pelegrinazhin që do të bëhet për të shkuar tek ajo godina. Atëherë tek ajo godina do të shkojnë vetëm fëmijët, mësuesit e tyre për t’iu mësuar atyre vizatimin, për t’iu mësuar muzikën, për aktrimin, poezinë etj. Dhe për t’iu treguar se ç’ka qenë Tirana dikur dhe mbase ndonjë nostalgjik, mbase ndonjëri prej tyre që mërziten kur të marrin vesh që ajo është diku tjetër nuk do të shkojnë. Do thonë boll u morëm me atë ne. Kështu do të ndodhë. Por mendoj që ia vlen dhe do ta bëjmë”.

“E vendosim vetë, sepse ne jemi zgjedhur që të vendosim. Nuk jemi zgjedhur që të vendosni ju apo të vendosin ata që s’janë zgjedhur dhe madje ikën dhe nga këtu për punët tona. Janë të ndara punët demokracia është gjithëpërfshirje thonë dhe unë e pranoj”, theksoi Rama.

“Demokracia është gjithëpërfshirje. Është e drejtë e gjithësecilit të thotë atë që mendon dhe detyrim i gjithkujt të dëgjojë dhe të flasë. Demokracia është përpjekje për mirëkuptim, për konsensus nganjëherë, por demokracia nuk është unanimitet. Nëse ne kemi arritur të kemi mirëkuptimin, mbështetjen e të gjithë atyre që iu përmenda më parë nga Robert Ndrenika, tek Pëllumb Kulla, deri tek Altin Basha dhe të tjerë, ne e kemi kryer përtej çdo gjerësie. Por të na thuash tani ti u more vesh me këta, po shiko se janë dhe nja dy veta të tjerë, janë dy vëllezër, njëri është në Itali, tjetri është këtu që nuk duan, dhe ti lësh dy vjet ta ta kthejnë në konvikt teatral dhe të thuash dakord meqë këta s’duan, kalojmë në një temë tjetër. Unë nuk kam ardhur këtu për të kaluar në tema të tjera, sepse e di janë kosto, është baltë e madhe”, u shpreh Rama.

“Suksesin mua dhe PS nuk na e keni falur, nuk presim të na e falni, por ama një gjë është e sigurt, llafet e atyre atje dhe emrat e atyre atje do të bëhen pluhur, ndërkohë që veprat tona do të flasin për ne, edhe kur ne të mos jemi më në këtë qytet”, tha Rama.

/gj.mima/ /a.g//r.e/