ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri tha sot nga Elbasani se “protesta e opozitës është një nga ato ngjarje që do të provojë që stabiliteti i këtij vendi është më i madh se interesi i disa aktorëve që duan ta kthejnë pas”.
Në një prononcim për mediet duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për protestën e opozitës, Gjiknuri tha se “këto janë miningjarje në rrugën e madhe të një kombi, i kemi ardhur kësaj dite që Shqipëria të ketë protestë, të ketë liri fjale dhe një qeverisje më të mirë në dobi të njerëzve”.
“Nuk është hera e parë që bëhen protesta dhe protesta është një e drejtë legjitime. Shpresoj të mos kthehen reminishencat e së kaluarës të personave që kanë marrë përsipër ta udhëheqin atë sepse dihet tendenca e tyre ndaj respektimit të rendit dhe institucioneve në këtë vend. Shqipëria ka parë edhe më keq dhe nga ana tjetër, kombi ka sfidë më të madhe të krijuar nga një ngjarje globale”, nënvizoi Gjiknuri.
Ai u shpreh se “kemi luftuar për liri, demokraci dhe stabilitetin e këtij vendi”.
“Shqiptarët vërtet janë në një moment të vështirë sa i përket ngjarjeve që lidhen me luftën e inflacionin, por Shqipëria është në dorë më të sigurt, në një qeverisje më të sigurtë dhe ka një të ardhme më të sigurtë pavarësisht nga vështirësitë që ne po kalojmë në momente të caktuara. E rëndësishme është të besojmë tek e ardhmja, te aleatët tanë perëndimorë, tek kjo zgjedhje që kemi bërë duke u rreshtuar në krahun e duhur të historisë”, tha Gjiknuri.
I pyetur nëse kryebashkiaku Llatja do të rikandidojë në zgjedhjet e 14 majit, Gjiknuri tha se “PS nuk ka primare, Llatja ka bërë punën e duhur dhe e ka treguar veten në lartësinë e duhur”.
Gjiknuri mori pjesë sot në ceremoninë e 78-vjetorit të çlirimit të qytetit të Elbasanit.
/k.s/j.p/