Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi deklaroi sot në një intervistë televizive për situatën e pandemisë se, “ne kemi qenë të përgatitur që në ditën e parë të vitit shkollor 2020-2021”.
“Domethënë që jemi përgatitur me një udhëzues të detajuar, i cili përmban të tre skenarët e mundshëm në varësi të situatës së pandemisë. Skenari i parë është ai i zhvillimit të mësimit në bankat e shkollës me prezencë fizike të të gjithë nxënësve, por natyrisht, duke respektuar rregullat anti-COVID, duke i ndarë klasat në grupe të vogla në turne, e kështu me radhë, por ama të gjithë nxënësit me prezencë fizike”, tha Kushi.
“Skenari i dytë është skenari që ne filluam të aplikojmë në fillim të dhjetorit me rekomandimin e Komitetit të Ekspertëve, kur situata e pandemisë u rëndua paksa. Çka do të thotë që një pjesë e nxënësve bëjnë mësimin gjysmën e javës në shkollë dhe gjysmën e javës online. Ndërkohë që cikli fillor dhe maturantët ishin gjatë gjithë kohës me prezencë fizike në shkollë”, theksoi Kushi.
Ndërkohë, shtoi Kushi, “ditën e djeshme, Komiteti i Ekspertëve ka sugjeruar që të aplikohet skenari i tretë për shkollat e mesme në disa nga bashkitë e vendit, të cilat në bazë të shifrave, të statistikave, të situatës së pandemisë, mendohet që janë zona më të nxehta dhe ku rreziku i përhapjes së virusit është më i madh”.
Ajo tha se departamentet e universiteteve do të hartojnë shumë shpejt një rregullore për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi.
Kushi deklaroi gjithashtu se provimet e studentëve do të zhvillohen të alternuar, një pjesë online dhe një pjesë në auditorë. Për këtë theksoi ajo morën konfirmimin nga Komiteti i Ekspertëve pas shkresës së drejtuar, por me kushtin që të respektohen masat anti-COVID.
“Kemi kërkuar që sezoni i provimeve të jetë më i gjatë se herët e tjera, të jetë mbi 45 ditë, në mënyrë që të garantohet distancë kohore midis dy provimeve të njëpasnjëshme. Kjo edhe për të mos lejuar mbipopullimin e auditorëve, por edhe për t’i dhënë mundësi studentëve që të përgatiten më mirë për provime”, tha Kushi.
Kushi nënvizoi se, “mungesat që studentët kanë bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, për arsye që mund të jenë objektive, të gjithë i kuptojmë, të mos jenë arsye për t’i penalizuar ata në provime. Pra, të drejtën për të hyrë në provime ta kenë të gjithë studentët, pastaj sipas rezultatit është dhe vlerësimi”.
“Por ndërkohë, – theksoi Kushi, – është shumë e rëndësishme që universitetet të respketojnë të gjitha masat anti-COVID, grupet të jenë të ndara, jo më shumë se 15 veta në një sallë provimi, kohëzgjatja e provimit të jetë më e shkurtër, higjienizimi i ambienteve e kështu me radhë”.
Ajo tha se, “ne e kemi vlerësuar shumë të rëndësishme që studentët të kenë mundësi ose të drejtë të zgjedhin nëse duan ta japin provimin në këtë sezon apo jo. Në këtë rast universitetet mund t’i ofrojnë edhe një sezon shtesë, që mund të jetë në prill, mund të jetë në maj, në varësi të situatës së pandemisë, për t’ua ofruar këtë mundësi studentëve që e kanë të pamundur këtë sezon qoftë online, qoftë në auditore”.
Kushi tha se, “të gjitha universiteteve shumë shpejt do të hartojnë shumë shpejt një rregullore për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi”.