Ndërsa puna nga shtëpia është bërë normë e re gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), një eksperte e digjitalizimit me bazë në Turqi thotë se kjo metodë po dëshmon të jetë më produktive sesa pritej, shkruan Anadolu Agency (AA).
Sapo gjërat të kthehen në normale dhe qytetet të zhbllokohen, firmat do të prezantojnë modele të punës nga distanca si një praktikë e rregullt, tha Nabat Garakhanova, shefja e firmës së konsulencës MEZO Digital.
“Njerëzit e humbin kohën e tyre në rrugë dhe si rezultat, kalojnë më pak kohë me familjet e tyre”, vuri në dukje ajo.
Prakitka e punës nga shtëpia ka përmirësuar ndjeshëm nivelet e motivimit të punonjësve, shtoi ajo.
Për më tepër, kostoja e të bërit biznese gjithashtu është ulur ndjeshëm për shkak të takimeve dhe shitjeve online.
Edhe pas pandemisë, kompanitë duhet të vazhdojnë të punojnë në distancë një herë në javë, siç është e premtja, për të rritur produktivitetin, shtoi ajo.
Duke folur për shkeljen e mundshme të privatësisë për shkak të aplikacioneve në internet, ajo tha se kompanitë duhet të instalojnë sisteme të sigurisë në pajisjet online.
“Falë sistemeve të instaluara në kompjuter, i gjithë rendi i punës mund të merret nën kontroll; kur personeli ndez kompjuterin ose sa kohë ata shpenzojnë në cilat programe”, thotë Garakhanova.
Kompanitë gjithashtu mund të përdorin serverë terminalë, të cilët parandalojnë rrjedhjet, për të mbrojtur sistemet dhe pajisjet e tyre kundër sulmeve të jashtme, tha ajo.
Megjithatë, për rritjen e efikasitetit, menaxherët duhet të informojnë punonjësit për orët e punës, në mënyrë që ata të mund ta rregullojnë kohën e tyre në përputhje me rrethanat, vuri në dukje Garakhanova.
Duke folur për programin e videokonferencave, që është një temë e nxehtë aktualisht, ajo theksoi se llogaritë e mediave sociale janë më të rrezikshme sesa aplikacionet e videokonferencës.
Ajo vuri në dukje se njerëzit duhet të përdorin aplikacione me pagesë në vend të softuerëve me përdorim falas.
“Aplikacionet e paguara na lejojnë të blejmë një hapësirë të sigurt për takime”, thekson Garakhanova.
Sipas saj, softuerët falas për videokonferenca kanë të njëjtat rreziqe si rrjetet publike wi-fi falas, të cilat janë të hapura për sulme të hakerëve./Anadolu Agency/