TIRANË, 22 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se eksportet e produkteve bujqësore deri në fund të vitit pritet të arrijnë në 500 milionë euro.
Në një takim me fermerët në Kafaraj të Fierit, Rama tha se jeta reale në fshat është kulmi i kontrastit me fshatin që del në televizor.
“Është kulmi i kontrastit me skenat e hedhjes së mollëve apo të qepëve, apo qumështit në rrugë për të bërë shfaqjen e një dëshpërimi në emër të një braktisjeje të qeverisë, që në fakt nuk ekzisto. Është e dhimbshme që hidhet një kokërr mollë, qepë apo një gram qumësht prodhuar me vështirësi, por ka një të vërtetë tjetër, që këto produkte dalin në televizor duke u hedhur, nuk dalin ato që eksportohen”, tha Rama.
Rama tha se “ne po synojmë 500 milionë euro eksporte të prodhimeve bujqësore, nga 130 milionë që eksportonim kur nisëm këtë rrugë”.
“Po synojmë të arrijmë këtë vit gjysmë miliard eksporte frutash e perimesh, eksporte produktesh të punës me tokën, të një Shqipërie që sot ndryshe nga çfarë tregojnë pasqyrat e deformuara të televizioneve pas së cilave fshihen shumë shpesh pronarë që shantazhojnë qeverinë, ministrat, kryetarët e bashkive, për të përfituar në mënyrë indirekte para, tendera, leje ndërtimi, është një Shqipëri që punon dyfishin e tokës që punonte kur ne nisëm detyrën”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, ndodh se qeveria i vuri ujin në dispozicion fermerit.
“Bashkia e Fierit ka bërë një punë të jashtëzakonshme me mbështetjen tonë për të rikthyer në punë kanale ujitëse e kulluese që nuk punonin por ishin mbushur me plehra e ferra qysh se ra ai regjimi tjetër. Sot ne ndihemi mirë se shikojmë se si bujqësia, fshati shqiptar, ka të ardhme. Krejt e kundërta e asaj të predikohet. Ai predikim bën që kush nuk e njeh realitetin e fshatit të kujtoj se fshati vuan për bukë”, shtoi Kryeministri.