Kryeministri Edi Rama së bashku me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla kanë vizituar një fermë në Cërrik ku në 250 hektarë kanë mbjellë arra, kivi, bajame, shegë.

Rama u shpreh se në dispozicion të bujqësisë është “buxheti me shumën më të madhe ndonjëherë në këto vite”, ndërsa shtoi se kanë munguar njerëzit me vizion dhe me projekt.

Po ashtu Rama tha se gjatë këtyre viteve kanë munguar fermerët që nuk kanë pasur projekt dhe vizion por kanë qëndruar në fermën e tyre dhe më pas nuk kanë ditur ku ta shesin.

Fjala e plotë e Edi Ramës

“Nuk na mungon buxheti, kemi në dispozicion buxhet në shumë më të madhe që nuk ka bërë vaki ndonjëherë në këto vite. Paratë nuk mungojnë. Për disa vite na ka munguar një numër kritik njerëzish në bujqësi që të mendojnë në mënyrë vizionare dhe me projekt, jo të thonë: ‘Ja jam këtu me trastën time me patate, me domate, të vijë të ma marri shtetit se nuk kam ku ta çoj’. Lidhur me aplikimet e skemës kombëtare këtë vit është një shenjë domethënëse në raport me gjithë nevojat, sa shumë persona kanë shfrytëzuar aplikimin online, se janë ata llafollogët e Tiranës dhe facebook që thonë se katundarët nuk dinë të përdorin teknologjinë, por e vërteta është e kundërta, se njerëzit që jetojnë me punën, edhe në majë të malit i gjejnë rrugët dhe e përdorin shumë më mirë se ata që janë në fakt katundarët e vërtetë, nëse e përdorim në pezhorativ, se katundar jam vetë unë  dhe jam shumë krenar që jam katundar, se u bëmë shumë qytetar atje në Tiranë, kështu që më mirë katundar. Ajo që na duhet ët kemi sa më shumë veprimtari prodhuese dhe përpunuese”

Fjala e plotë e Taulant Ballës

”Ka gjithsej 250 hektarë. Pjesa më e madhe janë arra, është një arrë shumë e mirë që sivjet ka prodhimin e parë. Ka shegë, qershi, lajthi, fiq, në 250 hektarë bajame ndërkohë që ka krijuar dhe duke përfshirë një fermë me dhi, me lopë, dhe për përpunimin e tyre. Ne do shohim një nga pjesët e saj. Tek pjesa e kivit. U habita kur një rrënjë mund të prodhojë deri në 300 kg, është e çuditshme.”