ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kemi hyrë botërisht në epokën e një kërcënimi të madh dhe duhet të jemi të vendosur të bashkuar me njëri-tjetrin e me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, për t’ia dalë edhe përballjes me këtë flamë të re, siç ia dolëm me tërmetin e pandeminë, duke ua lehtësuar sa të jetë e mundur njerëzve barrën e inflacionit të luftës së Putinit kundër Perëndimit, duke i mbrojtur nga furtuna e çmimit të energjisë, si edhe duke e ekspozuar deri në fund opozitën e rublave dhe të izolimit nga Perëndimi”.

Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, Rama informoi se “janë ndarë detyrat bazë të aktivitetit që nis nesër për t’u shtrirë në gjithë Shqipërinë dhe për të komunikuar intensivisht me të gjitha komunitetet, qoftë për qeverisjen vendore qoftë për sfidat e përbashkëta”.

“Kemi hyrë në një epokë të një kërcënimi të madh botërisht. Jemi të detyruar të përballemi me kërcënimin e madh të kësaj epoke që vjen nga një agresion në dyert e Europës, që ka sjellë si pasojë përveç bombave dhe krimeve të panumërta në Ukrainë edhe rritjen e çmimeve të energjisë, produkteve bazë në gjithë botën”, shtoi Rama.

Sipas tij, “ky është një inflacion lufte, kostoja që i paguajmë aventurës së një diktatori si Vladimir Putini”.

“Nga ana tjetër edhe pse nuk është qeveria që ka sjell inflacionin i takon qeverisë dhe shumicës qeverisëse të bëjë gjithçka për të lehtësuar peshën e kësaj lufte mbi kurrizin e ekonomisë së vendit dhe mbi shpatullat e familjeve. Për këtë arsye kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi”, tha Rama.

Kryeministri informoi se “jemi duke finalizuar buxhetin e vitit të ardhshëm i cili është dyfishi i buxhetit 2013 çka tregon se shumëçka ka ndryshuar pozitivisht në funksion të së ardhmes së vendit”.

“Por patjetër ky dyfishim i buxhetit është mbi të gjitha i bazuar te domosdoshmëria për të vazhduar të mbështesim që të gjithë sa të jetë e mundur. Patjetër që do të vazhdojmë të qëndrojmë me këmbëngulje te plani për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjet dhe biznesin e vogël. Urojmë që të kemi edhe shiun e nevojshëm pasi dihet që ne jemi ende shumë të varur nga burimet ujore dhe duke pasur më shumë prurje shiu kemi më pak nevojë për të dalë në import. Gjithsesi do të vazhdojmë të dalim se në asnjë rast edhe sikur të kemi plot hidrocentralet Shqipëria nuk prodhon sa për të përmbushur të gjitha nevojat”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh shumë besimplotë që do ta kapërcejmë këtë dimër pa dhimbje të mëdha.

“Sigurisht do të jetë dimër i vështirë por masat që kemi marrë dhe mbështetja masive që do të vazhdojmë t’i japim të gjitha kategorive besoj se do ta lehtësojë dimrin në mënyrë të arsyeshme”, tha ai.