Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se firmat e ndërtimit nuk do të marrin më leje ndërtimi dhe nuk do të pranohen në tendera nëse kanë punëtorë që paguhen nën një pagë të caktuar.

Kjo, tha Rama, nuk është pagë arbitrare që e vendos qeveria, por është pagë që del nga vetë operatorët e sektorit.

“Nuk mund të pranojmë dot që paga minimale të jetë njësoj edhe në ndërtim, sepse kjo nuk është më pagë, është shfrytëzim, është edhe e pavërtetë në raport me gjithë ciklin ekonomik financiar të ndërtimit. Nuk është pasqyrë e produktivitetit, por është shfrytëzim”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria po jep shembullin e saj duke bërë rritje të pagës minimale, gjë që detyron edhe rritjen e pagave të tjera për të korrektuar sistemin.

“Gjykatësit e Prokurorët sot paguhen më shumë se ne që jemi këtu, por kjo është bërë për të mbështetur Reformën në Drejtësi dhe atë proces ku ne duam të kemi njerëz që të zbatojnë atë që kemi në letër”, tha Rama.

Ai theksoi po ashtu se po bëhet një analizë e thellë dhe së shpejti do të bëhet publik një plan e studim për rritjen e mëtejshme të pagave.