Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se për herë të parë Shqipëria bëhet pjesë e hartës së fluturimeve transoqeanike, diçka që deri dje do të dukej si një fantazi e shfrenuar, ndërsa sot është kthyer në realitet falë uljes në Aeroportin e Rinasit të avionit të parë që mbërriti nga Kanadaja, konkretisht nga Toronto.
Kryeministri theksoi se fluturimi ishte plot, ndërsa iu drejtua përfaqësuesve të kompanisë ajrore duke u shprehur se shqiptarët janë të parët në dy gjëra, në dërgimin e mesazheve në telefon dhe në udhëtimet me avion.
“Pa diskutim që linja juaj do të jetë shumë e suksesshme. Megjithatë, për ne kjo është tashmë një arritje e realizuar dhe i përket së kaluarës, edhe pse e kaluara është vetëm kjo paradite”, u shpreh Rama.
Ai nënvizoi se objektivi strategjik i radhës është hapja e një linje direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Edhe në raport me këtë objektiv është bërë një përparim i konsiderueshëm dhe mund të them se jemi shumë më afër finalizimit sesa mund ta imagjinonim vetëm pak vite më parë”, deklaroi Kryeministri.
/gj.m/r.e/



























