Kryeministri Edi Rama u ndal sot gjatë takimit për paraqitjen e projekteve për bashkinë e Kolonjës, edhe tek përpjekjet e qeverisë për të mbrojtur konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël nga goditjet që sjell kriza energjetike globale për shkak të luftës në Ukrainë.

 

Rama theksoi se qeveria ka vendosur mburojë financiare për të gjitha familjet shqiptare dhe mbi të gjitha për bizneset e vogla.

 

Po ashtu, Rama vuri në dukje se familjet shqiptare paguajnë për energjinë elektrike 20% të çmimit në faturë, ndërsa 80% të çmimit e paguan qeveria.

 

“Thënë këtë, unë besoj që ne jemi duke bërë më të mirën e mundshme, sepse së pari, ne kemi vendosur një mburojë financiare mbi të gjitha familjet shqiptare dhe mbi të gjitha bizneset e vogla të cilat paguajnë ekzaktësisht të njëjtin çmim energjie që paguanin përpara se të fillonte kriza e energjisë, e cila filloi përpara se të vinte agresioni i Ukrainës”, tha Rama.

 

“Mbase ju kujtohet, mbase jo, që kur unë dola shtatorin e shkuar dhe fola për fillimin e një krize energjetike, shumëkush filloi të përqeshte dhe të fliste me përçmim për një sajesë, “Ky nuk jeton dot pa kriza”. Ndërkohë, ja ku jemi sot kur ajo që ju dhe familjet shqiptare paguajnë për energjinë elektrike, është 20% e çmimit, 80% të çmimit i paguan qeveria përmes buxhetit të shtetit. Duke paguar këtë 80% për të gjitha familjet dhe duke paguar dhe një përqindje tjetër të konsiderueshme për të gjitha bizneset e vogla, ne në fakt pengojmë edhe rritjen e papërmbajtur të inflacionit”, tha ai.

 

“Ne nuk mund ta zhbëjmë inflacionin, por arsyeja pse ne në Shqipëri kemi inflacionin më të ulët në të gjithë rajonin tonë është sepse në radhë të parë, ne nuk kemi rritur çmimin e energjisë për të gjitha këto dyqanet që shikoni këtu rreth e rrotull, të cilat e paguajnë njësoj energjinë dhe ju shërbejnë juve pa e pasur barrën e rritjes së çmimit të energjisë. Nëse ne do të rrisnim çmimin e energjisë për bizneset e vogla, që janë motori i jetës së përditshme ekonomike të familjeve, atëherë detyrimisht bizneset e vogla do të shkarkonin një pjesë të asaj rritjeje drejtpërdrejtë tek ushqimet tuaja, drejtpërdrejtë tek të gjithë mallrat që ju blini prej tyre”, përfundoi Kryeministri Rama.