Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së Edi Rama zhvilloi sot një takim me grupin e këshilltarëve socialistë të zgjedhur më 14 maj në Elbasan.
Në fjalën e tij, Rama tha se “vota e 14 majit është shprehje e besimit se ne mund të bëjmë realitet pritshmëritë e njerëzve dhe kjo është një gjë shumë e madhe sepse ne nuk jemi në ditën e parë, por në mes të mandatit të tretë qeverisës në rang kombëtar.
Sipas tij, zgjedhjet sado vendore të jenë kanë edhe një karakter kombëtar dhe në këtë fazë të marrësh një miratim të tillë për të vazhduar përpara është një privilegj dhe sfidë e madhe që mbart rrezik të madh.
“Pritshmëritë janë shumë të larta dhe është e pamundur që ato të plotësohen dhe realizohen të gjitha, por insistoj që njërzillëku në raport me njerëzit, arritja e domosdoshme e ndjenjës së shërbimit ndaj njerëzve dhe të përgjegjësitë që njerëzit të ndjehen të respektuar dhe në qeverisjen tonë vendore ta karakterizojë respekti për njerëzi që ata të kenë një derë ku të trokasin”, theksoi Kryeministri.
“Ne kemi dyer që vërtetë janë dyer që ne turpërohemi jo krenohemi siç janë dyert e disa zyrave të Kadastrës që megjithëse ne kemi bërë një transformim historik me kalimin online të 95% të shërbimeve, por ajo çfarë ndodh pas atyre dyerve na zeron atë çfarë kemi arritur”, shtoi ai.
Kreu i PS-së shtoi më tej se Këshilli Bashkiak ka një rol për të luajtur në funksion të krijimit të një atmosfere dëgjimi të njerëzve dhe rritjes së respektit ndaj tyre.
“Të gjejmë mekanizma që e bëjnë shumë më të hapur çdo bashki, që krijojnë shumë më tepër hapësirë për qytetarët, që të shtrojnë probleme e tyre që të ankohen dhe trajtojnë hallet e tyre”, shtoi Rama.atsh