ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se çdo ndërhyrje e një deputeti për punësime në administratë duhet të konsiderohet vepër penale.
Në fjalën e mbajtur para grupit parlamentar të PS-së dhe kabinetit qeveritar, Rama tha se do të propozojë që çdo ndërhyrje e një deputeti me telefon për të futur dikë në punë të konsiderohet vepër penale. “Do ta propozoj dhe do t’ju shikoj të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni”, u shpreh Rama.
Sipas tij, çdo mesazh apo ndërhyrje me qëllim favorizimin e një personi për një vend pune duhet të konsiderohet një shkelje e rëndë.
“Çdo mesazh ‘fute këtë në punë’, ‘shikoje pak atë’, duhet të konsiderohet vepër penale, sepse një deputet që bën këtë nuk është i denjë të jetë përfaqësues i atyre mijëra qytetarëve të tjerë që nuk kanë akses te WhatsApp-i i tij, që nuk janë pjesë e trungut të familjes së tij, që nuk janë pjesë e tarafit të tij apo shoqërisë së tij”, tha Rama.
Duke iu referuar votuesve të PS, ai tha se “këta janë njerëz që i kanë rritur fëmijët e tyre me një mijë e një mundime, që kanë votuar këtë deputet apo deputetë të tjerë me radhë dhe, në fund, shikojnë fëmijën e tyre të parakalohet nga një mesazh në WhatsApp. Vepër penale”.
/k.s/a.f/r.e/



























