Kryeministri Rama deklaroi sot se nëse mbajmë këtë ekuilibër të situatës së pandemisë nuk ka nevojë të karantinohemi.

Duke folur në një komunikim me medien nga aeroporti “Nënë Tereza” ku mbërritën mbrëmjen e sotme 7020 doza të tjera të vaksinës Pfizer, Rama tha se “ne besojmë që në kushtet  që jemi sot për sot nëse mbajmë këtë ekuilibër nuk kemi nevojë të karantinohemi, për një mijë e një arsye që i kam dëgjuar me vëmendje edhe nga ekspertë tanë por dhe nga të tjerë me të cilët komunikoj për të mësuar, dhe ndërkohë gjithnjë e më shumë po fiton terren shqetësimi i një tjetër pandemie që është pandemia psiqike, që do të thotë i efekteve traumatike të gjithë kësaj kohe dhe gjithë këtyre shtrëgimeve, ndryshimeve dhe shqetësimeve tek psiqika e kësaj dynjaje”.

“Dhe e treta duhet të keni parasysh se kur Greqia u mbyll ose kur një vend i BE u mbyll ka një “Konto” europiane që përgjigjet. Janë të gjithë këta komponentë që duhen marrë në konsideratë, se është kollaj të themi hajde ta mbyllim, por pse do ta mbyllim? Për çfarë arsye? Nëse numrat qëndrojnë në ekuilibër, brenda parashikueshmërisë dhe nëse spitalet vazhdojnë shërbejnë brenda skenarëve të parashikuar, atëherë jeta duhet  të vazhdojë me ato masa kufizuese që kemi përcaktuar, në mënyrë që njerëzit  të marrin frymë, t’i kryejnë ndërveprimet e tyre sociale, të kufizuar por sidoqoftë t’i kryejnë, njerëzi të vazhdojnë të shkojnë në shkollë dhe prandaj  arsyetimi i Komitetit tonë Teknik është tërësor, nuk është thjesht një arsyetim mekanik hajde ta mbyllim”, tha ai.

Po ashtu, Rama shtoi se sigurisht nëse njerëzit nuk do kufizohen, nuk do vënë maskën kur dalin nga shtëpia, nuk do të respektojnë ato rregulla minimale atëherë ora policore do shkojë duke u ulur dhe kufizimi do shkojë duke u rritur dhe largqoftë do të duhet të bëhet edhe një karantinim i përgjithshëm”.