Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vijoi sot turin e falënderimeve për rezultatin e zgjedhjeve vendore, me një takim me banorë të Elbasanit.
Duke e cilësuar fitoren e 14 majit një arritje të thellë për PS-në, Rama tha se, “fuqia jonë buron drejtpërdrejtë nga të gjithë ata që janë anëtarë të familjes tonë politike në të gjithë territorin, të cilët duke ndërvepruar të gjithë së bashku me zemër në një drejtim, e bëjnë PS më të fortë dhe të fitojë në çdo zgjedhje”.
Rama tha se “duhen kuptuar edhe kundërshtarët tanë, të cilët deri në momentin e fundit janë të krekosur e premtojnë fitore të mëdha, rrëzime të mëdha të gjithë shumicës tonë dhe papritur ngrihen në mëngjes si të tronditur nga makthi e flasin për grabitje të votave, e vjedhje, sepse nuk e kanë idenë ça rrjeti kapitali njerëzor, mendjesh e zemrash, i shtrirë në të gjithë territorin e vendit, është Partia Socialiste. Ata nuk e dinë se çfarë skuadre është PS”.
Kryeministri u ndal tek numri i lartë i votave që mori PS-ja në zgjedhjet e 14 majit, teksa tha se “shumë njerëz që nuk kanë votuar për ne, e kanë pozicionuar veten djathtas, por e panë që vota e 14 majit duhej vendosur me mendje, jo me zemër dhe vendosën votën për ne, sepse besojnë që ne jemi ata që mund ta çojmë Shqipërinë përpara. Ndërsa një pjesë tjetër nuk doli në votime duke i braktisur ata për të cilët kanë votuar ngahera, duke dhënë një kontribut të çmuar për kombin, sepse ata menduan se kujt mund t’ia lënë në dorë kopshtet, çerdhet e shkollat, përveç se kryetarëve tanë”.“Ne kemi bërë dhe gabime, por ama jemi të vetmit që themi atë që bëjmë dhe dimë si ta çojmë këtë vend përpara”, deklaroi Rama.
“Dua t’i falenderoj ata që nuk dolën për votime, sepse i bënë një shërbim të madh Tropojës, Shkodrës, Dibrës, Lezhës dhe Kamzës, vende ku ne jemi me shumicë në këshillat bashkiakë, lëre pastaj me kandidatë. Vetëm në 4 vite për bashkinë e Kamzës janë ndërtuar 23 shkolla të reja të cilat janë shkolla me standardet më të mira europiane dhe ata që i dhanë 60 % të votave kryetarit të bashkisë së Kamzës, ata nuk janë socialistë të gjithë, ata janë të majtë dhe të djathtë, por ata i ka bashkuar interesi i tyre si prindër, ku i çojnë fëmijët në shkolla model, ku janë të barabartë me fëmijët e kryeqytetit, i ka bashkuar interesi si banorë, që ishte si një xhungël. Kështu, 60 % të votave mori dhe kandidati ynë në Shkodër. Sepse ka ardhur një pikë ku njerëzit vërtetë nuk mbajnë më, dhe janë të lodhur se si politika i ka tërhequr zvarrë dhe në një moment të caktuar vendosën të bëjnë zgjedhjen e duhur”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se vota e 14 majit për një pjesë që na ka mbështetur nuk është votë nga kënaqësia për ne, por është votë për pritshmëri të madhe nga ne. Në mesin e mandatit të tretë është shumë për të pasur një mbështetje kaq të madhe dhe kjo vjen sepse njerëzit duan që punët të bëhen më mirë dhe ata e kanë këtë pritshmëri nga kandidatët tanë.
“Çdo njeri duhet ta respektoni pa pyetur fare nëse është i majtë apo i djathtë. Ne duhet ta kthejmë PS në një forcë për të krijuar një komunitet më të gjerë. Pika e parë e programit të çdo kryetari bashkie të PS-së duhet të jetë njerzillëku. Njerzillëku është pika e parë e programit të çdo partie. Elbasanin do ta bëjmë një destinacion turistik. Do të jetë një motor për ekonominë”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se sfida e socialistëve është t’i japin garanci gjithkujt, duke i ofruar mbrojtje, respekt, mbështetje.atsh