Ada dhe Mikena janë të ftuarat e Kryeministrit Edi Rama në episodin e dytë, të sezonit të dytë të podkastit “Flasim”.
“Dy motra, të cilat janë njëkohësisht edhe dy krijuese dhe partnere, në një sipërmarrje që ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe në një treg jashtëzakonisht konkurrues, ku gjenden faktikisht të gjithë më namuzqarët e botës, le të themi. Dy motrat bimët e tokës sonë i kanë kthyer në produkte luksi edhe në vitrinat e botës duke krijuar njëkohësisht një treg online prej 35 mijë klientësh nga të gjitha kontinentet”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “më thanë që duhet patjetër t’iu njihja dhe pasi mësova për historinë tuaj, thashë ia vlen ta bëjmë këtë episod së bashku, sepse një nga arsyet e këtij podkasti është edhe kjo që të bëjmë të mundur që teksa bisedojmë lirshëm, pa emocione, – po e zgjas pak që t’iu kalojnë emocionet, – ata që na ndjekin të mund të njihen me profile, me njerëz që jetojnë mes nesh, por që janë të padukshëm, ndërkohë që mishërojnë shembuj të bukur, frymëzues, motivues, inkurajues, dhe që me talentin, me kurajën, me vullnetin, këmbënguljen dhe durimin e tyre ja dalin, që pa ikur nga Shqipëria, të shpërndajnë produktet e dijes së tyre në botë.Si lindi kjo sipërmarrje e juaja, që sot është në tregun ndërkombëtar?”
Ada tha se “unë jam kimiste. Gjatë gjithë kohës kisha në mendje të bukurën, dhe aty fillova të eksperimentoja, midis vajrave, kremrave. Më ka pëlqyer gjithmonë fuqia që ato mbartin. E më pas kështu vijoi. Me ardhjen e demokracisë, sigurisht tregu u mbush. Aty kishte më shumë për kremrat dhe unë i merrja dhe i studioja, mbi përbërësit në etiketa. E fiksuar pas etiketave, fillova të studioja çdo përbërës të mundshëm, por në ato momente më lindi ideja, e kisha të ngulitur në mendje gjatë gjithë kohës që unë duhet të krijoja një produkt, i cili duhet të vinte shumë pastër te tregu dhe të ishin organik mbi të gjitha. Kjo më joshte gjatë gjithë kohës. Dhe ia dolëm, e krijuam. Kombinimi vajor është një nga produktet best seller për ne, por dhe për tregun. Ne tanimë, me kombinim vajor shkojmë në tregun ndërkombëtar”.
Ada tha se “unë jam kimiste. Gjatë gjithë kohës kisha në mendje të bukurën, dhe aty fillova të eksperimentoja, midis vajrave, kremrave. Më ka pëlqyer gjithmonë fuqia që ato mbartin. E më pas kështu vijoi. Me ardhjen e demokracisë, sigurisht tregu u mbush. Aty kishte më shumë për kremrat dhe unë i merrja dhe i studioja, mbi përbërësit në etiketa. E fiksuar pas etiketave, fillova të studioja çdo përbërës të mundshëm, por në ato momente më lindi ideja, e kisha të ngulitur në mendje gjatë gjithë kohës që unë duhet të krijoja një produkt, i cili duhet të vinte shumë pastër te tregu dhe të ishin organik mbi të gjitha. Kjo më joshte gjatë gjithë kohës. Dhe ia dolëm, e krijuam. Kombinimi vajor është një nga produktet best seller për ne, por dhe për tregun. Ne tanimë, me kombinim vajor shkojmë në tregun ndërkombëtar”.
Motra tjetër Mikena u shpreh se “kam qenë gjatë gjithë kohës shitësja. Po gjithmonë kam qenë shumë e fokusuar, në botën ekonomike, në biznes. Ne jemi rritur në një atmosferë të tillë. Prindërit tanë kanë pasur një biznes, jemi rritur duke shërbyer dhe deri diku gjithmonë kam qenë shumë e pasionuar pas shifrave dhe shumë e fokusuar. Gjithmonë e dija që do të studioja biznes, më pëlqente bota e biznesit, dinamika, tregu, më pëlqente sjellja konsumatore, ta studioja, ta vëzhgoja dhe të gjitha këto pastaj ndikuan që unë të formoja, atë karakterin tim, ato dëshirat e mia dhe të ndiqja studimet për biznes këtu në Shqipëri”.
Më tej Aada tregoi se “në Tiranë dhe në ndërkohë që filloja e studioja, në atë fillimin tim, sigurisht që krijoja produkte, dhe startuam Ada Herbs. Në këto momente, ne filluam të shkonim, të bënim dhe të krijonim produkte nga më të ndryshmet, ku tregu i përqafoi shumë ngrohtë. Dhe kështu nisëm ne”.
E veçanta e historisë tonë, vijoi Mikena, që shpesh e thonë, teksa na shohin që dukemi pak më të reja, nuk është e besueshme që kemi 11 vite në treg, e kemi nisur teksa kemi qenë ende studente dhe duke nisur si rrugëtim, siç e tha edhe Ada, që filluam të përqafoheshin goxha produktet, kuptuam që kishim nevojë për dije.
“Patjetër që dije të tilla më specifike, do të duhet t’i merrnim diku jashtë, edhe me trajnime dhe specializime të ndryshme. Nga këtu filloi rrugëtimi jonë i dijes dhe ende s’ka ndaluar, me specializime të ndryshme për problematika, apo risi të ndryshme në fushën tonë dhe jemi fokusuar më së shumti në Francë dhe në Angli, duke qenë se janë dhe vende që mbartin një rëndësi shumë të madhe në fushën e kozmetikës, por edhe për cilësinë janë të pazëvendësueshme”, tha Mikena.
Rama tha se “u krijuan produktet e para, por që ishin në tavolinën e eksperimenteve kimike. Tani nga tavolina e eksperimenteve kimike, për t’i nxjerrë në treg duheshin paketuar. Si ndodhi ky proces? Si e bëtë këtë gjë? Me çfarë financimi e bëtë këtë gjë?”
“I gjithë financimi ka qenë i joni, studentor me atë se çfarë ne prindërit na jepnin. Po mbi të gjitha duke parë, duke krijuar produktet e para, patjetër që ti e shpërndan te mikeshat, te njerëzit e njohur, te dikush që mund të kesh në punë apo në shkollë. Dhe filluan të përqafoheshin goxha mirë dhe patjetër që ne na gjeneronim të ardhura, që ne i përdornim për të blerë një lëndë tjetër të parë. Në fillim ne e kemi aksesuar lëndën e parë në Angli, duke qenë se është një vend shumë i pasur me këtë pjesë dhe më pas filluam të eksploronim. Madje pagesat tona më të mëdha kanë qenë trajnimet tona, edhe ishim shumë krenare teksa kuptonim se përveçse mund të mbanim veten si studente, – nuk ishim krejtësisht të pavarura, – kishim krijuar një pavarësi të madhe ekonomike, por ndërkohë ishim edhe duke investuar te dija, e ardhmja. E ardhmja edhe e biznesit, jo vetëm e jona”, tha Mikena.
Ada u shpreh se “por, doja të shtoja diçka tjetër, mbi fuqinë e paketimeve, se e përmendet edhe pak më parë. Partneri jonë në biznes është Rei, bashkëshorti i Adës dhe ai kujdeset për të gjithë dizajnin”.
“Në fakt edhe Rei ka të njëjtën histori si Mikena, sepse Rei ka studiuar për ekonomik, por nuk ka qenë pika e tij e fortë, ku ai donte që të ishte. Dhe vetë ka studiuar dizajn dhe tanimë e bën në mënyrë perfekte sepse ne e kemi në mendjen tonë gjithmonë dijen dhe investojmë njerëzit më shumë tek ajo. E gjejmë, e gërmojmë aty ku ndodhet, e risjellim”, tha Ada.
Rama pyet se pasi bëtë paketimet e para dhe dolët nga qerthulli i shoqeve që provojnë produktet, sa vështirësi patët për të pasur një pozicion në këtë treg?
Rama u shpreh se “pastaj pas kësaj natyrshmërie që pati sjellja e tregut ndaj jush, siç thoni ju, lindi nevoja për të prodhuar më shumë. Si u zgjidh kjo?”
“Me Francën. Po, e vërtetë është. Ne në fakt e kemi dominuar shumë mirë tregun online në fillim. Menduam se funksiononte shumë mirë. Për ne funksiononte. Kishim një kontakt shumë të drejtpërdrejtë me klientin. Gjatë gjithë kohës ishim në kontakt me ta për çdo problematikë apo për çdo këshillë gjatë përdorimit, duke qenë se i gjithë kujdesi ndaj flokut është një lloj rrugëtimi.Nga kjo pastaj, vendosëm që të hapnim dyqanin tonë të parë, i cili është ende, ndodhet në zonën e ish-Bllokut dhe aty kuptuam që nevoja për produkte ishte shumë e madhe dhe ne patjetër nuk mund ta plotësonim më këtë kapacitet, duke prodhuar vetë. Pikërisht për këtë arsye eksploruam shumë gjatë. Ne kishim një lloj eksperience dhe një lloj attach-i me cilësinë franceze, por për të vendosur që të prodhosh produktet në Francë, teksa janë formulat tona dhe jo formulat standarde, është një iniciativë shumë e madhe. Është një risk shumë i madh, risk financiar, por jo vetëm. Ne mendojmë se tregu shqiptar na dha këtë mundësi dhe këtë aftësi dhe ne sot jemi këtu”, tha Mikena.
Pasi eksploruam shumë laboratorë, vijoi ajo, patjetër jo të gjithë ishin pro formulave tona dhe formës se si ne formulonim apo donim të ideonim dhe krijonim produktet tona, kemi gjetur dhe ne disa laboratorë në Francë, të cilët e mbështesin shumë formën se si ne i krijojmë produktet tona.
“Habitemi se sa shumë risk kemi marrë në fillim, duke prodhuar në një lloj kapaciteti aq të madh, por tregu na ka shpërblyer shumë. Mbase nuk i kemi menduar shumë gjërat në fillim dhe ikëm me dëshirën dhe rrodhëm me besimin se konsumatorët i donin produktet tona dhe në të vërtetë nuk na zhgënjyen”, theksoi Mikena.
Ada tregon se “stafi përbëhet nga 10 persona, por bashkëpunëtorët tanë numërohen rreth 100 në të gjithë botën. Është një ekip shumë i madh, gjë e cila e bën të gjithë rrugëtimin tonë më të suksesshëm. Ne e kemi marrëdhënien shumë të mirë. Nisim nga Tirana dhe vijojmë në Francë ku kemi një marrëdhënie shumë të mirë, shumë, shumë të mirë do doja ta theksoja, me të gjithë formuluesit e laboratorëve dhe ideuesit. Është një rrugë goxha e gjatë, e bukur, por ne të gjithë së bashku ia dolëm”.
Tashmë, shton Mikena, produktet tona mund të shkojnë lehtësisht për dy-tre ditë në çdo cep të botës dhe kemi pasur partneritete të ndryshme brenda vendit, por edhe jashtë për ta bërë të mundur këtë.
Rama tha se “këto ishin dy motrat e Ada Herbs. “Ada Herbs” quhet se tani nuk dua të ikin me ndjenjën e sëkëlldisë që pse s’na bëri ky qoftë dhe një herë të përmendi emrin. Këto janë fiksimet e njerëzve që merren me biznes, kështu që këto janë motrat, ishin motrat, do jenë motrat e Ada Herbs. Ju falënderoj shumë dhe paçi një ditë po kaq energjike dhe po kaq me dritë sa këto dy motra që sapo i patë dhe që sapo të mbyllet do ikin dhe s’do i shikoni më këtu, por shpresoj t’i shikoni përmes Ada Herbs”.
/k.s/atsh