10 përpunues dhe eksportues bujqësorë të vendit tonë u bënë pjesë e pavijonit të Shqipërisë, duke prezantuar ekselencën shqiptare në fruta-perime në panairin “Fruit Logistica” në Berlin.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjete sociale foto nga prezantimi i produkteve të pavijonit shqiptar në këtë panair.

“Produktet tona të freskëta panairin më të madh ndërkombëtar të fruta-perimeve “Fruit Logistica” në Berlin”, shkruan Rama.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me fokus ndaj eksporteve bujqësore, organizoi pavijonin shqiptar në këtë panair, duke promovuar fort prodhuesit tanë në tregjet ndërkombëtare.

Kompanitë pjesëmarrëse patën mundësi të krijojnë një rrjet ndërkombëtar kontaktesh, kontrata shitjesh dhe mundësi eksporti të mallrave të tyre.

Sektori i fruta-perimeve është me rëndësi të lartë për bujqësinë shqiptare dhe zë 36% të totalit të eksporteve bujqësore, të cilat arritën vlerën rekord prej 55.1 miliardë lekësh në vitin 2022.

Panairi më i rëndësishëm në Evropë për produktet bujqësore të freskëta, “Fruit Logistica”, u mbajt në Berlin, Gjermani, gjatë datave 8 dhe 9 shkurt 2023.