Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama kujtoi se deputetët dje u detyruan të kalonin mes një korridori sharjesh dhe dhune fizike, me vezë e madje edhe gurë të hedhur ndaj tyre, vetëm që të arrinin në vendin e tyre të punës.

“Pra, për llojin tuaj të veçantë të demokratëve dembelë, pengimi i deputetëve që të hyjnë në seancën hapëse të Parlamentit quhet “kundërshtim”? Ndoshta kështu duket nga rehatia e tastierës suaj. Por, jo për kolegët tuaj shqiptarë, nga e djathta në të majtë, të cilët u detyruan të kalonin mes një korridori sharjesh dhe dhune fizike, me vezë e madje edhe gurë të hedhur ndaj tyre, vetëm që të arrinin në vendin e tyre të punës. A nuk ju vjen turp të mbështesni një sjellje kaq të neveritshme dhe ta shisni atë si kundërshtim demokratik? Me sa duket, jo”, u shpreh Rama.

Rama komentoi po ashtu edhe dhunën verbale të ushtruar nga deputetes socialiste, Iris Luarasi.

“Meqë ra fjala, shikoni se si një deputete e nderuar, një akademike e respektuar dhe një mbrojtëse gjerësisht e njohur e të drejtave të grave, fyhet dhe keqtrajtohet nga modelet tuaja të ‘kundërshtimit’, teksa thjesht përpiqet të arrijë në vendin e saj të punës”, shtoi Rama.

Kjo, sipas tij, “nuk ishte as më e keqja nga ato që kolegëve tuaj shqiptarë iu desh të përballonin dje”.

“Keni ndonjë gjë për të thënë për këtë formë të veçantë të ‘kundërshtimit’, nga piedestali juaj i lartë demokratik? Apo shqetësimi juaj për demokracinë përfundon aty ku fillojnë faktet e pakëndshme? Dhe ju lutem, lëreni Shqipërinë të qetë dhe mos e përfshini në këtë histori”, u shpreh Rama.

Duke iu drejtuar Partisë Demokratike Europiane, Rama theksoi se “Shqipëria është një vend realisht i lirë dhe shumë më demokratik sesa politika juaj mendjengushtë”.

“Ajo nuk meriton të bëhet çamçakëz në gojët mediokre të njerëzve që i shkëmbejnë faktet me angazhim të lirë politik”, shtoi ai.