Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh sot nga Durrësi se rezultati i arritur në zgjedhjet e 14 majit është historik për PS-në, e cila u konfirmua për herë të parë pas 20 vitesh forcë e parë edhe në këshillin bashkiak të Durrësit, por edhe në bashki të tjera.

Në një takim falënderues në Durrës pas rezultatit të arritur në zgjedhjet e 14 majit, Rama vlerësoi veçanërisht modelin që ofron PS Durrës për nga mënyra se si është organizuar dhe funksionon, duke punuar në çdo qelizë të territorit.

Rama theksoi se rezultati i zgjedhjeve është një barrë shumë e madhe. “Ka qenë rezultat i jashtëzakonshëm dhe fakti që ne marrim një rezultat, më të mirin historik në zgjedhjet vendore dhe që është rezultat më i miri historik i PS-së në aspektin e numrit të votave në gjithë Shqipërinë është shprehje e një pritshmërie shumë të madhe, por jo e një kënaqësie të madhe të njerëzve me punën tonë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se do të ishte gabim i madh nëse vota merret si kënaqësi.

“Ne jemi pa diskutim zgjedhja e tyre më e mirë. Është gjë e madhe që pas një periudhe relativisht të madhe në qeverisje prapë marrim këtë mbështetje. Kjo do të thotë se kanë pritshmëri jo se janë të kënaqur me ne, sepse ka shumë gjëra që mund t’i bëjmë më mirë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kjo fushatë zgjedhore ishte sa lokale, aq edhe kombëtare.

“Është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë se kemi hyrë në një borxh shumë të madh duke i kërkuar votën. Ajo që kemi marrë prej tyre është një sfidë shumë e madhe e jashtëzakonshme. Këtu nuk kam parasysh vetëm votën që na është dhënë ne direkt, por edhe votën që nuk u është dhënë atyre. Ata bëjnë llogari të çuditshme por faktikisht kanë marrë apo jo 250 mijë vota dhe kjo vjen si rezultat i braktisjes që i kanë bërë ata që i kanë mbështetur historikisht”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se PS është e vetmja që mund t’i bëjë punët më mirë, por kjo nuk do të thotë se i kemi bërë të gjitha gjërat mirë.

“Kemi bërë gabime patjetër, kemi bërë edhe gjëra për të cilat unë nuk jam krenar fare dhe do të doja shumë të mos i kishim bërë. Flas për udhëheqës të Partisë Socialiste, flas për njerëz që kanë marrë gjithçka nga PS dhe jo vetëm që nuk i kanë dhënë gjithçka por i kanë dhënë edhe kosto në gjithë këto vite. Flas për njerëz që kanë marrë detyra të larta, drejtimin e agjencive të rëndësishme dhe kanë turpëruar besimin, mbështetjen, flamurin e familjen tonë”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se përgjegjësia është individuale dhe një familje nuk mban përgjegjësi për çfarë bën një individ që del nga shinat, por për mënyrën si reagon në raport jo vetëm me atë individ, por në raport me problemin.

Ndërsa vlerësoi punën e kryetares së bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, Rama kërkoi që të ndërtohen mekanizma që bashkia të bëhet më e hapur me njerëzit.

“Nuk ka nevojë të bëhen anëtarë të PS-së të gjithë, por ama çdokush ta gjejë derën e hapur. Të gjithë të ndjehen mirë, të majtë e të djathtë, edhe ata që nuk dolën të votojnë meritojnë respekt se nuk e ndyn dorën duke e vënë kryqin te ajo kutia e tmerrshme që bashkonte dy hijet më skandaloze në historinë e vendit. Çdo të djathti duhet t’i shtrijmë dorën”, shtoi Rama.

Ndërkohë, ai theksoi se pala tjetër jeton në botë paralele.

“Nuk e kuptojnë dot se si Kamza i ktheu kurrizin në atë farë feje. Është e lehtë, mjafton të shkosh në Kamzë me një hartë ku janë kopshtet, çerdhet shkollat dhe të kesh 3 fotografi se si ishin. Kështu e kupton pse në 14 maj 60% e qytetarëve në Kamzë votuan si prindër të fëmijëve, jo si tifozë për ti lënë fëmijët të humbin në gropa rrugës për në shkollë. Unë nuk hyj te ata që them po na vdes pluralizmi se ikin ata për ‘pambuk’. Nuk shoh asnjë rrezik për demokracinë, pluralizmin, fjalën e lirë. Demokracia shqiptare nuk humb asnjë gjë kur humbin ata. Detyra jonë është që sa herë të na dalin përpara t’i bëjmë atë që i bëmë në 14 maj. Vetëm kjo parti mund ta bëjë kthesën përfundimtare. Një kthesë e madhe ka filluar duhet ta çojmë deri në fund, pastaj ta vazhdojnë të tjerët”, shtoi Rama.