Kryeministri Edi Rama pyeti sot ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin aktual, Ilir Meta përse ata votuan pro raportit të ish-prokurorit zviceran Dick Marty në Këshillin e Europës.
“Sali pse e votove pro Raportin e Dick Marty në Këshillin e Europes,kur ne e votuam kundër apo doje të mbroje Kosovën nga Hashimi? Po ti Ilir pse e votove pro Raportin e Dick Marty apo s’të pyeti Haxhinasto? Lulëzim ke gjë për të thënë apo s’ta lejon sekreti hetimor?”, shprehet Rama.
Para se të mbushte 3 vjet shtet, Kosova u trondit nga një raport ndërkombëtar, i cili përmban pretendime se njerëz të UÇK-së kishin kryer krime çnjerëzore, raport i hartuar nga senatori Dick Marty. Ai akuzon UÇK në raportin e tij për rrëmbimin e serbëve dhe shqiptarëve, trajtimin e tyre brutal, vrasjen, marrjen e organeve të tyre në Shqipëri dhe shitjen.
Në janar të vitit 2011, në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës u debatua rreth raportit të ish-prokurorit zviceran Dick Marty.
Referuar Top Channel, delegacioni i Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Europës votoi pro rezolutës kur Sali Berisha ishte kryeministër dhe Ilir Meta zëvendëskryeministër.
Konkretisht, delegacioni shqiptar në këtë asamble përbëhej nga Kryeministri Sali Berisha, zv.kryeministri Ilir Rusmali si dhe nga opozita dy deputetët, Damian Gjiknuri dhe Shpëtim Idrizi.
Sipas raportit të votimit të rezolutës së Dick Martyt në KiE, përfaqësuesi i qeverisë së Berishës, Ilir Rusmali votoi pro raportit, ndërsa Shpëtim Idrizi dhe Damian Gjiknuri ishin mes deputetëve që votuan kundër. Në fund të debatit, pro rezolutës votuan 169 ndërsa kundër ishin tetë europarlamentarë.