ATSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi si të jashtëzakonshëm organizimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.
“Për ne kjo është e jashtëzakonshme. Është diçka që edhe ai me imagjinatën më të guximshme nuk do ta kishte përfytyruar që do të ndodhte, dhe po ndodh. Është shkëlqyer, vërtet. Mendoj se është një sinjal mjaft i fortë i vetëdijes së BE-së. BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE. Dhe kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Rama në një prononcim për mediet.
I pyetur nëse mund të marrë zgjidhje sot çështja e Kosovës me Serbinë, Rama u shpreh se, “do të dëshiroja që të ishte kështu, sepse dëshiroj që BE të kishte këtë lloj magjie, por nuk është kështu”.
“Është e vështirë, do të kërkojë kohën e vet. Por më lini t’ju them që Ballkani Perëndimor nuk ka qenë kurrë më mirë në histori të vet dhe shqiptarët, veçanërisht qoftë në Shqipëri, në Kosovë apo kudo tjetër, nuk kanë qenë kurrë më mirë në historinë e tyre”.
I pyetur se cili është ndryshimi i organizimit të këtij samiti në Tiranë dhe jo në Bruksel, Rama u shpreh se, “është ndryshim i madh, se këtu është rock&roll, në Bruksel është vetëm simfoni. Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë rock&roll. Është shumë pak më e mërzitshme se Brukseli. I patë? Të gjithë ishin të lumtur”.