Kryeministri Edi Rama reagoi sot pasi ka nisur heqja e barrikadave të vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.

Kryeministri Rama teksa e cilësoi një shfaqje tensionin e ngritur këto ditë, theksoi po ashtu se nuk ishte dakord me qëndrimin e BE dhe të SHBA, të cilat vendosjen e barrikadave e cilësuan mjet proteste paqësore.

“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë!”, u shpreh Rama.

“Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare! Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së radhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes!”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Pasditen e sotme ka nisur largimi i barrikadave në fshatin Rudarë, i cili gjendet në komunën e Zveçanit.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut, pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.

Serbët lokalë në komunat Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç. /j.p/