ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot detaje nga plani i qeverisë për rritje të pagave në vend.

Në një deklaratë për mediet pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Rama deklaroi se plani ambicioz për rritje pagash, synon që të mundësojë në harkun e këtyre dy viteve, 2023-2024, ngritjen e Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit.

Rama tha se “ky plan synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh. Jemi në kushtet e një mundësie të re që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve dhe familjeve”.

Ai tha se pas rritjes së pagës minimale, tani mund të shkojmë drejt rritjes edhe të pagës mesatare në dy faza.

“Do kemi një rritje tani së shpejti për një pjesë dhe të shkallëzuar detajet të cilat do t’i diskutojmë më konkretisht pas aktit të miratimit që do vijë në 10-15 ditët e ardhshme. Do publikojmë edhe planin e plot që të gjithë ta dinë se çfarë do pasojë. Kemi thënë për rritjen e pagës së mjekëve dhe infermierëve me 7% këtë vit, dhe pasi të bëjmë rritjen e kësaj pjese me 7% do shkojmë në rritjen tjetër që do jetë rritje e konsiderueshme me vitin e ardhshëm. Ndërkohë për të tjera kategori do kemi rritje të menjëhershme të këtij viti”, theksoi Kryeministri Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.