ATSH/ Një tjetër bujtinë e bukur është ngritur rishtazi në fshatin Gur i Bardhë në Klos.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga bujtina “Te Mulliri”, që është një sipërmarrje familjare ku i zoti i shtëpisë Avniu, pas viteve të gjata emigrimi në Angli u kthye në vendlindje, e ku falë edhe mbështetjes së qeverisë nga AZHBR përmes programit IPARD, mundi të ngrinte këtë bujtinë të bukur në tokën e të parëve të tij.

Rama theksoi se, “Te Mulliri” është një agroturizëm me suksesin e vulosur që në nisje, pasi numri i turistëve që kërkojnë ta vizitojnë vjen gjithnjë në rritje, nxitur dhe nga produktet tradicionale dhe natyra e rrallë e kësaj zone të veriut të Shqipërisë.

Agroturizmi po merr gjithnjë e më shumë zhvillim në zona të ndryshme turistike të vendit përmes bujtinave të ngritura. Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit, si një model i ri i zhvillimit rural në Shqipëri.

Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit.