Hidrocentrali më i madh në projektin Hidroenergjetik të Devollit HEC Moglica, nis aktivitetin tregtar duke shënuar kështu një tjetër zhvillim të rëndësishëm në fuqizimin e sistemit elektro-energjetik në Shqipëri. Në vizitën e tij në këtë HEC, Kryeminsitri Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vuri theksin se në fillim të punës ka pasur shumë problem për të zgjidhur dhe lehtësuar të gjithë procesin. Sipas kreut të qeverisë, përkundër perceptimit, në Shqipëri ata që morën përsipër të ndërtojnë hidrocentralin janë ndjerë shumë më mirë se në vende të tjera.

Përfaqësuesit e këtij HEC-i shprehën mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare në ndërtimin e kësaj vepre.

Diga e Moglicës, me një lartësi prej rreth 167 metra, është një nga më të lartat në botë në llojin e vet. Fuqizimi i mëtejshëm i sistemit shqiptar të energjisë do të vijojë me Skavicën, vepra madhore e mbetur në sirtar prej më shumë se gjysëm shekulli, e cila do të nisë të ndërtohet vitin e ardhshëm pas përfundimit këtë vit të projektit të detajuar inxhinierik.