TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Programi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për shëndetin dentar, pas Tiranës po shtrihet me kabinete të reja dentare në qytete të tjera të vendit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga këto kabinete dentare, ku nxënësit e shkollave marrin shërbimin dentar.
Rama tha se “pas 10 të kabineteve dentare të para që hapëm në Tiranë, po zgjerojmë rrjetin e këtij shërbimi edhe në qytete të tjera, ku tre kabinetet e radhës u hapën në Durrës, investime që do të pasojnë më tej edhe me kabinetet e kontrollit të shikimit”.
Në fazën e parë të programit deri tani në Durrës janë 3 unite të reja dentare dhe në Tiranë 10 kabinete dentare. Faza e dytë e programit ka 8 unite dentare që po instalohen në tre qytete, në Durrës, Shkodër dhe Elbasan.
Ky program ofron depistimin periodik, edukimin shëndetësor për ruajtjen e kujdesin e dhëmbëve, si dhe shërbime konkrete, si fluorizimi, pastrimi i gurëzave si dhe trajtimet urgjente apo mjekimet e patologjive të indeve të buta.
Ky investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vjen në kuadër të programit të ri “Shëndeti në shkolla”, që mbështet shëndetin dhe mirërritjen e fëmijëve.