Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj u shpreh sot nga foltorja e Kuvendit se PS-ja nuk kërkon që të ndryshojë hartën territoriale pasi kërkon që të fitojë zgjedhjet në tavolinë.
Duke marrë fjalën në seancën plenare ku diskutohen raportet e sjella nga komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, Alibeaj vuri në dukje se raport ka vetëm PD.
“Kjo do ngelë një nga njollat më të mëdha për ju, njollë e zezë e këtij raporti. Ju s’keni raport, raport ka vetëm PD. Ju s’gjeni dot një arsye se përse e pranuat këtë komision 6 muaj më parë, nëse që në atë kohë kishit marrë parasysh se nuk do ndryshonit asgjë. Ky është autogol që ju ngritët komisionin për të parë ecurinë e reformës territoriale, ndërsa ju paguheni për këtë, për ta monitoruar”, tha Alibeaj në replikë me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi.
“Bashki të falimentuara. Ju keni bërë një reformë që bashkitë vënë taksë gjelbërimi në pyll, bashki pa tradita, pa identitet, bashki të shpopulluara dhe kjo është arsyeja shumë e rëndësishëm pse duhej rishikuar harta territoriale. Shqiptarët nga periferia po afrohen drejt qendrës dhe të tjerët nga qendra largohen jashtë. Bashkia pa përfaqësi. S’ka përfaqësi, s’ka kontroll të kryetarit”, tha Alibeaj.
“Niveli i demokracisë shihet nga pushteti vendor. Gjepura janë të tjerat, drejtësia, pavarësia, jo! Niveli i respektimit të individit është niveli vendor. Sa peshë, sa zë, sa rëndësi ka individi tek kryetari bashkisë? Ky është virtyti i një reforme territoriale. Denaj tha se kjo ishte një arritje e z. Rama, kjo fakton se ishte e njëanshme. Ndoshta dhe ne kemi faj, se nuk ishim në tryezë, por ju i kishit votat. Reforma territoriale është moment historik në shtetformim. Atëherë ia mohuat shqiptarëve, sot nuk po ua jepni. Ne kemi kërkuar korrigjim të defekteve, sepse vetëm kështu ecën para kjo gjë. E fundit, mos t’ia fshehim njerëzve, e kuptoj fare mirë se përse sot s’gjeni dot alibi. Ka vetëm një arsye, se përse ju s’pranoni ridimensionim të Territoriales, ju atë e bëtë në 2014-ën për të fituar zgjedhjet në tavolinë”, tha Alibeaj.