Pas arritjes së marrëveshjes mes anëtarëve të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, e ku e gjitha tashmë është në dorën e kryedemokratit Lulzim Basha, ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka thirrur në zyrën e tij 3 ndërkombëtarët që kanë luajtur një rol kyç në këtë proces.

Gazetarja e Report Tv, Klesiana Omeri raporton se takimi do të mbahet në zyrën e Sorecës dhe do të jetë e pranishme ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman dhe përfaqësues nga OSBE-ja, por jo ambasadori Bernd Borchardt.

Nuk dihet nëse pas kësaj mbledhjeje do të ketë takime me përfaqësuesit politik në Këshillin Politik të Zgjedhore.

Ky takim vjen pas mbledhjeve të njëpasnjëshme e që kanë zgjatur mbi 9 orë, mes anëtarëve të Këshillit politik dhe ambasadorëve. Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka qenë e prerë dhe shumë e qartë në mesazhin e saj mbrëmjen e djeshme,  e cila u shpreh në përfundim të takimit se përgjegjësia është e mikut të saj Luli Basha duke i thënë hapur se “topi është në fushën e tij dhe tashmë ai ka në dorë të integrimin e vendit”. Nga ana tjetër, në përgjigje të saj, kryedemokrati tha se ‘ka ende një çështje pa zgjidhur’, por pa e zbuluar se cila është ajo.