Korporata Elektroenergjitike Shqiptare do të shesë energji me një vlerë prej 660 mijë eurosh për dy ditë. Në bazë të procedurës së shitjes vërehet se energjia do të shitet me tre lote dhe çmimi varion nga 73 deri në 101 euro për megavator. Ky çmim rezulton më i ulët se niveli me të cilin është blerë energjia më herët nga KESH . Nëse vërejmë çmimin e energjisë me të cilin tregtohet në bursë konstatohet se ka pësuar ulje këto ditë por përsëri nëse krahasojmë fashën e mesnatës rezulton më e lartë se çmimi i shitur nga KESH.

Sipas të dhënave mësohet se tashmë është ndërprerë importi dhe eksporti i energjisë ka nisur që në mesnatë. Prodhimi i energjisë në kaskadë përmbush totalisht kërkesën e OSHEE për furnizim me energji elektrike për konsumin vendas. Reshjet intensive të shiut kanë përmirësuar ndjeshëm situatën e prurjeve dhe nivelin në Kaskadën e Drinit duke detyruar KESH që të nisë shkarkimet. Në Koman dhe në Vaun e Dejës po prodhohet energji me kapacitet të plotë ndërsa në Fierzë po akumulohen prurjet për të krijuar rezervë. Korporata Elektroenergjetike po monitoron nivelin e ujërave si dhe prurjet në kaskadën e lumit Drin .Në liqenin e Fierzës niveli ka arritur në rreth 272 metër duke pësuar një rritje me gati 5 metra vetëm në dy ditë. Ndërkohë në Koman dhe në Vaun e Dejës niveli ka arritur përkatësisht në 173.62 dhe 75,40 metra. Qeveria anuloi pak më parë vendosjen e fashës për abonentët që shpenzojnë mbi 800 Kw/h për muajin nëntor. Përmirësimi i situatës së reshjeve nënkupton se fasha nuk do të aplikohet edhe për muajin dhjetor.