Në rinisje të procesit mësimor për nxënësit e arsimit parauniversitar, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi vizitoi sot shkollën 9-vjeçare “Servete Maçi” në Tiranë.

Gjatë vizitës së sotme, Kushi jo vetëm uroi nxënësit dhe mësuesit për rifillimin e procesit mësimor, por edhe theksoi rëndësinë e respektimit të rregullave antiCOVID.

“Nga ju mësuese kërkoj sa më shumë forca, sa më shumë mobilizim, ashtu siç treguat edhe vitin e kaluar, sakrificë, përpjekje dhe përkushtim maksimal. Jam e sigurt që edhe këtë do vit, do t’ja dilni, jemi të gjithë bashkë. Nga nxënësit do të kërkoja respektimin e rregullave. Edhe lajmin e mirë e kemi që vaksina filloi sot dhe kam besim që së shpejti do të rifillojmë mësimin normal”, tha ministrja.

“Shkolla është jo vetëm me kushte shumë të mira, por edhe e mbajtur mirë, sepse mirëmbajtja është shumë e rëndësishme, t’ia edukojmë edhe fëmijëve. Më vjen shumë mirë që nxënësit janë ndërgjegjësuar për situatën, edhe pse janë shumë të vegjël por që i respektojnë shumë rregullat. Për ne është shumë e rëndësishme, vijueshmëria e mësimit, standardi, cilësia por mbi të gjitha shëndeti i fëmijëve, i mësuesve edhe i familjeve. Ndaj duhet të vazhdojmë vigjilencën në respektimin e rregullave”, u shpreh ministrja Kushi.