Ikja e aktorit të madh shqiptar, Rikard Ljarja, ka trishtuar mbarë popullin shqiptar, madje edhe atë kosovar. Zyrtarë të lartë të Kosovës i kanë dërguar një letër ngushëllimi familjes së aktorit, ku shprehim dhe dhimbjen për vdekjen e tij.
Letrat janë shkruar nga ministrja e Kulturës e Kosovës, Vlora Dumoshi, dhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.
“Rikardi ishte aktori, regjisori dhe skenaristi që me talentin, fisnikërinë dhe hijeshinë e tij ndriçoi skenën dhe ekranin shqiptar, për të lënë aty, gjurmët e pashlyera të roleve unike të realizuara mjeshtërisht prej Tij. Ai ishte magneti që na mbante mbërthyer sa herë shfaqej në ekran me gjithë potencën artistike dhe peshën e fjalës që e bënte atë krejt të veçantë e të papërsëritshëm në kinematografinë shqiptare”, thuhet në letrën e ambasadës së Kosovës në Tiranë.
Teksa vdekja e tij përkoi me një moment të vështirë për vendin, për shkak të krizës nga koronavirusi, ambasadori kosovar thekson:
“Ndonëse aktori u përcoll për në vendlindje në ditë shumë të vështirë, “ndonëse jo fizikisht, me shpirt e me zemër qindra e mijëra shqiptarë që e admiruan për vite me radhe Rikardin kanë qenë me Ju”.
Aktori i njohur njihej për debulesën që kishte për shtetin e Kosovës dhe ëndërronte gjithnjë Pavarësinë e saj.
Lidhjet e tij me artistët në Kosovë ishin të forta, pa specifikuar asnjë, pasi asnjë nuk mund të harrohet të përmendet.
Në letrën e ngushëllimit, ministrja e Kulturës në Kosovës shkruan se Rikardi e ka ngritur kulturën shqiptare në një nivel tjetër me angazhimin e tij.
“Vdekja e tij ishte humbje e madhe për artin shqiptar, por korpusi i vlerave filmike që do la pas vetes, janë një pasuri e çmuar artistike që ka vulën e kulturës shqiptare dhe bën që emri i tij të mos harrohet kurrë. Fizikisht ai nuk do të jetë më i pranishëm me ne, por do të kujtohet gjithmonë përmes veprës shumë të çmuar dhe me vlerë që la pas”.
(BalkanWeb)