Nesër, më 18 maj maturantët do të rikthehen në bankat e shkollës për të vijuar me përgatitjet e nevojshme për provimin e maturës.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini deklaroi sot se të gjitha shkollat janë gati për të mirëpritur maturantët ditën e hënë.
Ashtu siç është bërë e ditur më përpara, mes datave 18 maj – 5 qershor, 2020 do të ketë një hapje të pjesshme vetëm për maturantët.
Gjatë kësaj kohe, ata do të zhvillojnë lëndët që janë provime, ku përsëriten temat që u përkasin provimeve kombëtare sipas programit orientues, pa përfshirë pjesën e programit për temat që janë marrë gjatë mësimit në kushte të shtëpisë.
Kjo hapje, e shtrirë në rreth 500 shkolla në mbarë vendin dhe për afro 31 mijë maturantë, do të bëhet duke ndjekur rregulla strikte të distancimit social dhe sigurimit e mbajtjes së higjienës në shkollë.
Ndërkohë, në çdo shkollë do të ketë postera për distancimin social, rregullat, higjienizimin dhe kujdesin që duhet treguar gjatë qëndrimit në shkollë.
Nxënësit dhe stafi mësimor do të ndjekin protokolle strikte për hyrje-daljet në ambientet e shkollës, lëvizjet në mjediset e brendshme të shkollës dhe respektimin e distancimin social dhe fizik mes nxënësve dhe mësuesve gjatë zhvillimit të mësimit.