Ashtu siç edhe e kishte paralajmëruar kryeministri Rama, Kuvendi e rrëzoi dekretin e presidentit Ilir Meta për shqyrtimin e Kodit Zgjedhor të miratuar nga mazhoranca pa dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare. Shumica arriti të siguronte 97 vota për të hedhur poshtë nismën e kreut të shtetit.

Në këtë mënyrë, Kodi Zgjedhor hyn në fuqi automatikisht pa ndryshimet e kërkuara , e kjo vlen edhe për formulen e koalicioneve me një listë. Nga foltorja e parlamentit, Rama shenjestroi presidentin duke thënë se vendimi tij për t`iu drejtuar Venecias, është një përpjekje për të sabotuar zgjedhjet e 25 prillit.

“Ne nuk kemi çfarë presim. Për sa i përket përpjekjes së Ilir Metës për ta bllokuar këtë proces, duke e çuar në Venecia, është një përpjekje se tregon se ku do të dalë Ilir Meta. Do të dalë aty ku faktikisht desh të dalë edhe më parë, të hedhë në erë zgjedhjet. Ne do ta bëjmë këtë se fiton zgjedhësi, se e di mirë për këtë voton. E di shumë mirë se po votoi Lulin, voton në paketë Ilirin e Monikën, bashkë me Saliun. Merr këtej e merr andej dhe në fund kape qeverinë për këmbësh, e pastaj qeveria ka përgjegjësi, LSI ka qetësinë, kurse dashuria është transaksion, edhe këtej, edhe andej. Sikundër e kemi thënë edhe më parë kjo lojë ka mbaruar. Nuk është Parlamenti që e shkarkon Presidentin, por është Gjykata Kushtetuese në fund fare.”

Presidenti Meta e ktheu ne parlament dekretin për Kodin Zgjedhor ndërkohë që kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias mbi këtë çështje që ngërtheu palët ne një tjetër konflikt. Duke kujtuar afatet kohore përpara zgjedhjeve të 21 prillit, kryeministri Rama e beri të qartë se opinionin i Venecias mbetet i mirëpritur, por mund të shihet më vonë. Vetë komisioni, në përgjigjen e kthyer kërkesës së presidentit, theksonte se nisur nga koha e shkurtër e mbetur para seancës së ardhshme plenare dhe të kompleksitetit të çështjes, nuk e autorizoi procedure urgjente, por tha se çështja do kalojë për shqyrtim në muajin dhjetor.