ATSH/ Vaksinimi i mësuesve vijon me ritëm të lartë. Agjencia Telegrafike Shqiptare ka qenë këtë të martë në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë për të vëzhguar nga afër procesin e vaksinimit antikovid, i cili është i shtrirë në të gjithë vendin.

Besimi tek vaksina AstraZeneca duket se është rritur, pasi nga 50-60% e mësuesve të lajmëruar që paraqiteshin për t’ju nënshtruar vaksinimit, ditët e fundit, pas daljes së vendimit të Agjencisë Europiane të Barnave (EMA), ky numër është rritur deri në 90%. Ka pasur ditë që e kanë marrë vaksinën dhe 99% të mësueve të lajmëruar.

Mësues të pyetur nga ATSH, u shprehën entuziastë dhe besimplotë se vaksina AstraZeneca dhe vaksinat e tjera antikovid janë zgjidhje e mirë për të luftuar pandeminë COVID-19.

“Vaksinimi që i bëhet popullit shqiptar, tregon kujdesin e drejtuesve ndaj popullit. Të gjithë duhet të pajtohen me këtë dhe duhet ta bëjnë me patjetër këtë vaksinë. Falenderojmë të gjithë me kujdesin që po tregohet ndaj popullit. Ne na lajmëroi qendra e  punës dhe menjëherë ishim shumë dakord. Ne e pritëm me shumë kënaqësi vaksinën AstraZeneca dhe shyqyr që na u dha mundësia për ta bërë”,- u shpreh një mësuese.

“Rëndësi ka që është siguruar kjo vaksinë dhe shyqyr që na u dha mundësia për ta bërë. Nuk ka pse të jetojmë me frikë, do na zërë sot apo nesër, pasi kjo vaksinë na garanton”,- tha një mësuese tjetër.

“Ndjehem shumë mirë, e pritëm me shumë padurim këtë moment. U gëzova shumë kur administratorja e shkollës na lajmëroi që do të bëjmë vaksinën. Kam mendimin që çdokush duhet ta bëjë vaksinën. Është në të mirën e të gjithëve, është në të mirën e përbashkët. Nuk kam asnjë problem për llojin e vaksinën, në çdo rast do vija me vrap për ta bërë. Jemi shumë të gëzuar”,- tha një mësuese tjetër.

“Nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Se kam patur asnjëherë dyshimin për vaksinën, pavarësisht debatit që është bërë në këtë drejtim. Unë kam folur me mjekun e lagjes dhe shumë mjekë të tjerë dhe kam besim tek kjo vaksinë”,- vijoi një mësuese tjetër.

“Shpresoj që të më mbrojë vaksina. Shpresoj që vaksina ta kryejë funksionin. Kam lexuar shumë për vaksinën dhe vendimi EMA-s ishte shtysë më shumë në këtë drejtim”,- tha një tjetër mësuese.

“Deri tani ndihem shumë mirë. Komunikova me doktoreshën e lagjes dhe më tha se gjëja e parë që duhet bërë është të thuash po. “Ndjehem me fat që u vaksinova, se kam patur problem llojin, shkenca avancon dhe kam besim”,- thanë mësues të tjerë për ATSH.

Në Shkollën “Qemal Stafa”, janë duke u vaksinuar 250-300 mësues në ditë. Në tërësi janë vaksinuar mbi 12 mijë arsimtarë në të gjithë vendin, ose 30% e mësuesve e kanë marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca. Në total në të gjithë vendin është arritur të vaksinohen mbi 50 mijë persona, ndërkohë që procesi po vijon. Të vaksinuar janë mjekët, infermierët, të moshuarit mbi 80-90 vjeç dhe tashmë po vijon procesi dhe për mësuesit dhe pedagogët.