Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se angazhimi për të rritur pagën brenda këtij mandati të ri 40 %, është një angazhim që mbetet dhe të cilin qeveria do ta përmbushë 100 %.
Duke folur në një takim me infermieret dhe infermierët me rastin e Ditës Botërore të Infermierëve, Rama tha se, “kjo është dita edhe për të thënë që ne nuk do ia kishim dalë dot, jo siç ia kemi dalë deri tani, po as shumë më pak sesa kaq, nëse nuk do të ishim investuar me të gjitha forcat, edhe pse jo të mjaftueshme mundësitë tona, për ta ngritur në një nivel tjetër sistemin tonë shëndetësor, për t’i ngritur në nivel tjetër spitalet, për ta ngritur në një nivel tjetër pagën e mjekëve dhe infermierëve sidomos dhe për t’iu krijuar në radhë të parë infermierëve dhe infermiereve, jo vetëm kushte më të mira pune, por edhe atë parakusht të domosdoshëm që, ju e dini shumë mirë, ka munguar për vite e vite të tëra, siguria e vendit të punës”.
“Marrja e vendit të punës sipas meritës dhe mbajtja e vendit të punës sipas të drejtës, dhënia fund e një historie të tmerrshme, futjesh dhe nxjerrjesh nga puna të infermierëve për qëllime që nuk kanë pasur lidhje me përmirësimin e sistemit dhe të shërbimit, që nuk kanë pasur lidhje me aftësitë dhe me meritat e gjithsecilit, ka luajtur edhe ajo një rol shumë të rëndësishëm. Dhe sot pasja e në armate bluzash të bardha, të infermierëve dhe infermiereve, që është një armatë e respektuar, ku asnjë individ nuk kërcënohet në vendin e punës për shkak të bindjeve të veta politike apo për shkak se dikush tjetër përmes një njohjeje, ose përmes korrupsionit mund të vijë dhe t’i zërë vendin sa hap e mbyll sytë, është një aset i jashtëzakonshëm që ka qenë një garanci e madhe qysh ditën e parë të kësaj lufte dhe që është një garanci e madhe për ta përfunduar këtë luftë me sukses”, tha Rama.
Nga ana tjetër, shtoi Kryeministri Rama, “dua t’ju them përsëri dhe sot kur zgjedhjet kanë mbaruar, që rritja e pagës së infermiereve dhe infermierëve ka qenë e konsiderueshme, por e pamjaftueshme, kështu që angazhimi ynë për ta rritur pagën brenda këtij mandati të ri që fillon në shtator dhe hap pas hapi, 40 % akoma, është një angazhim që mbetet dhe të cilin ne do ta përmbushim 100 %”.