Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali ditën e sotme, ku raportohet se të paktën pesë persona kanë vdekur si pasojë e rrjedhjes së gazit në një shtëpi për kujdesin e të moshuarve, raporton Tgcom.

Zyrtarët dhe mediet lokale thanë se dyshohet që këta njerëz të kenë vdekur nga helmimi me monoksid karboni.

Incidenti ndodhi në shtëpinë e kujdesit “Villa de Diamanti” në Lanuvo, qytezë afër Romës, njoftuan zjarrfikësit. “Disa banorë kanë vdekur, ndërsa të tjerët janë hospitalizuar”, thuhet në deklaratën e zjarrfikësve.

Mediat raportojnë se shtatë persona, përfshirë dy punonjës shëndetësorë, janë duke u trajtuar në spital për simptoma që lidhen me helmimin me monoksid karboni.

“Kjo është tragjedi”, shkroi në Facebook nënsekretari i Ministrisë së Brendshme, Carlo Sibilia.

Në këtë shtëpi kujdesi po bëhej përpjekje që të menaxhohej përhapja e koronavirusit, pasi një punëtor shëndetësor doli pozitiv në test më 13 janar, njoftoi Qendra Rajonale e Krizave për rajonin e Lazios.