Tirana mikpriti në Ditën Arbëreshe, shqiptarë nga e gjithë bota, ndër të cilët figura të njohura të komunitetit arbëresh, studiues, historianë, në një seri aktivitetesh të zhvilluara në vigjilje të Samitit III të Diasporës.

 

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale fotoalbumin, sic thekson ai, të “takimit të madh mes shqiptarëve, kushtuar posaçërisht thesarit të paçmueshëm të arbëreshëve”.

 

Rama shprehet se edicioni i tretë i Samitit të Diasporës vijon edhe sot me të ftuarit e nderit nga krejt trojet shqiptare.

 

Gjatë ditës së djeshme u organizuan panele me tema të ndryshme, që shërbyen si pikë takimi për të diskutuar mbi kontributin mbarëshqiptar në fushën e arsimit, shëndetësisë, biznesit, artit dhe kulturës. Në mënyrë të veçantë, Arbëreshet vijojnë të kontribuojnë në zhvillimet e vendit tonë, me po të njëjtin përkushtim me të cilin kontribuojnë në zhvillimet e vendit ku jetojnë dhe punojnë, duke u shfaqur vazhdimisht si promovues dhe përforcues të marrëdhënieve mes dy popujve.Panelet si: “Mësimi i Arbërishtes si një proces kompleks, rolet institucionale”; “Fe dhe arsye, arbërorë dhe arbëreshe: Sfidat e traditave, identiteteve dhe besimeve në epokën postmoderne”; “Historia, arti, kultura dhe traditat e diasporës historike”; “Itinerare kulturore dhe “Moti i Madh” – u kthyen në kuvendin e diskutimeve me personalitete të shquara arbëreshe, studiues dhe akademikë, të cilët përfaqësuan me dinjitet komunitetin arbëresh, që ndër shekuj ka ruajtur me besnikëri zakonet e pasura, gjuhën, veshjet, festat, traditat, ritet e besimet e paraardhësve të tyre.

 

Aktivitetet e ditës së sotme vijuan me mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve “Shqiponja e Artë”, gjatë të cilës mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, si dhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, e shumë personalitete të tjera të jetës politike, artit, kulturës, akademikë, etj.atsh