TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Kryetari i Bordit të Shoqatës Federale për Zhvillim Ekonomik dhe Tregti të Jashtme (BWA), Michael Schumann, deklaroi sot në Tiranë se po ndërtojmë ura bashkëpunimi në mënyrë që kompanitë gjermane të vijnë të investojnë në Shqipëri.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulanta Balla, Schumann theksoi se “Shqipëria ka potencial të madh për energjinë dhe burimet natyrore dhe ne duam qe të mbështetemi më shumë në forcat tona, duke sjellë investitorë gjermanë dhe duke parë mundësi strategjike”.

“Shoqata jonë e cila ekziston prej 20 vitesh ka ndihmuar shumë kompani gjermane për të zbuluar mundësitë dhe në tregjet në zhvillim. Në këtë rast fitet edhe Shqipëria që është një vend me treg në zhvillim por ka edhe shumë potenciale për kompanitë gjermane. Tashmë situata pas datës 24 shkurt ka ndryshuar shumë, në çdo krizë dalin edhe shumë mundësi të reja dhe kemi shumë mundësi të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë. Për shkak të pandemisë kemi kuptuar që na duhen kanale të reja furnizimi me energji”, nënvizoi Schumann.

Schumann u shpreh se “jam surprizuar në mënyrë shumë pozitive kam vënë re një mikpritje shumë të mirë dhe një vlerësim shumë të madh të Gjermanisë dhe bashkëpunimit me Gjermaninë, është një aset shumë i madh dhe industria gjermane do ta përdorë më shumë këtë mundësi në të ardhmen”.

“Jam shumë i lumtur që punojmë për ngritjen e urave por edhe të fillojmë më konkretisht bashkëpunimin”, tha ai.

/k.s/