Hapet së shpejti në Vlorë muzeu dedikuar bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe  popullit hebre, të ndjekur nga regjimi nazist. Në mesin e dëshmive dhe orendive që tregojnë këtë faqe të historisë së përbashket nuk do të mungojnë deëshmitë e familjeve bujare elbasanase të cilat rrezikuan jetën e tyre për mbrojtjen e fqinjëve hebrenj.

Shqipëria u konsiderua si ‘parajsa e hebrenjve’ gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dëshmitë historike tregojnë se ndryshe nga shumica e vendeve të tjera evropiane Shqipëria u kthye në një oaz shprese për hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa në këtë periudhë Evropa nuk ishte vend i sigurtë për hebrenjtë, është tashmë botërisht e njohur se shqiptarët rrezikuan jetët e tyre duke e shndërruar Shqipërinë në një “parajsë mbi tokë” për komunitetin hebre ndaj të cilit po ushtrohej gjenocid.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Elbasan u strehuan dhjetëra familje hebrenjsh. Mbiemrat e njohur elbasanas kanë qenë edhe pritësit e familjeve hebreje, të cilat kërkonin t’i shpëtonin genocidit nazist. Mes familjeve që strehuan hebrenj përmenden familja e madhe e Biçakçinjve, Shuteriqët, familja e Vasil Nosit, Adelina Nosi, Qemal Karaosmani, Destan Kurmaku, Besim Zyma, Niko Piluri etj. Banorët e lagjes “Kala” i mirëpritën pasi panë tek hebrenjtë besimin dhe respektin që kishin ata për shqiptarët. Edhe pse pushtuesit gjermanë ishin të rrezikshëm dhe mund të masakronin familjet e tyre, ata sërish ruajtën traditën shqiptare të besës.