Guvernatori Sejko prezantoi sot raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2022 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Sejko tha se, “ekonomia shqiptare është ballafaquar me një valë goditjesh komplekse e të paprecedenta gjatë viteve të fundit. Këto goditje kanë testuar qëndrueshmërinë e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit, kanë ofruar sfida serioze për bizneset dhe familjet shqiptare, si dhe kanë kërkuar reagimin e shpejtë dhe të koordinuar të autoriteteve publike”.

Sipas tij, inflacioni mesatar u rrit, nga niveli mesatar prej 2.0% në vitin 2021, në nivelin 6.7% në vitin 2022.

Kjo rritje, vuri në dukje Guvernatori, u nxit fillimisht nga çmimet e huaja, por, më pas, ajo gjeti një mbështetje gjithnjë e më të madhe nga rritja e kostove të prodhimit dhe e pritjeve për inflacionin në vend.

“Në këtë mjedis të ri ekonomik, në funksion të respektimit të mandatit të saj ligjor të stabilitetit të çmimeve, Banka e Shqipërisë nisi procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Ky normalizim u realizua nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit, nga niveli 0.5% në fillim të vitit 2022 në nivelin 2.75% në fund të tij”, deklaroi Sejko.

Guvernatori i BSH-së tha se, “parashikimet tona sugjerojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2024, i ndikuar nga stabilizimi i çmimeve në tregjet globale dhe efektet e kursit normalizues të politikës monetare”.atsh