Neurologjia dhe sëmundjet që ajo trajton, kjo ishte tema për të cilën u diskutua mbrëmjen e së premtes në Shëndet +. I ftuar në studio ishte mjeku neurolog Bujar Cakani nga “Studio neurologjike Cakani”. Ai sqaroi per të gjithë teleshikuesit problemet e sistemit nervor dhe rëndësinë e kurimit ose parandalimit në kohë të këtyre patologjive.
Sëmundja e parë e cila u trajtua ishte epilepsia ose e thënë ndryshe “sëmundja e tokës”, simptomat e saj dhe se si duhet të sillemi në një rast sulmi epileptik. I pyetur për ndryshimin midis epilepsisë dhe krizave epileptike, mjeku përgjigjet se krizat epileptike janë fillimi i shfaqjes së sëmundjes dhe simptomat e saj ndryshe nga epilepsia e diagnostikuar tashmë si një sëmundje.
Sipas tij epilepsia mund të kurohet vetëm me medikamente, me përjashtim të rasteve të rënda ku është i domosdoshëm aplikimi i një operacioni. Një tjetër patologji e sistemit nervor e cila u trajtua ne studio është edhe skleroza multiple e cila sipas mjekut është dëmtimi i lëndës së bardhë të trurit.
I pyetur për grupmoshat më të prekura, doktori u përgjigj se varion nga 15-40 vjeç, por se dhe moshat më të vogla nuk bëjnë përjashtim. Ai thekson rëndësinë e bashkëbisedimit midis mjekut dhe pacientit, duke i ardhur në ndihmë këtij të fundit edhe nga ana psikologjike. Mjeku neurolog rrëfeu mbi eksperiencat e tij lidhur me arsimin, specializimin në Selanik dhe bashkëpunimin me doktorët andej.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është dhe përdorimi i vajit të kanabisit i cili sipas mjekut luan një rol të rëndësishëm ne kurimin e sëmundjeve neurologjike dhe jo vetëm. Sipas tij çdo dhimbje vjen me një problem shëndetësor, i cili duhet ekzaminuar, gjë kjo e cila shpeshherë kalohet pa iu dhënë rëndësia e duhur.
Fundin e kësaj bisede interesante dhe informuese, mjeku e mbylli me një fjali shumë emocionale, duke u shprehur se pacientët e tij i konsideron familje dhe se çdo darkë para se të flejë nuk harron kurrë të shohë pacientët dhe të flasë me prindërit e tij.
Përgatiti:Xhuliana Dunga