Shtypi i huaj i kushton vëmendje zhvillimeve të fundit sa i përket dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po anashkalojnë Bashkimin Evropian dhe përpiqen të zhbllokojnë konfliktin e ngrirë mes dy vendeve.

Në artikullin e titulluar: “Të fitosh pikë në Ballkan”, gazeta “Süddeutsche Zeitung” shkruan se Brukseli nuk ka arritur të gjejë një gjuhë të përbashkët për Kosovën dhe prandaj Prishtina dhe Beogradi po i besojnë më shumë Shteteve të Bashkuara.

Gjithashtu, austriakja “Die Press” komenton njoftimin e të dërguarit amerikan për Kosovën Richard Grenell për takimin në Uashington.

Gazeta pohon se Evropianët rrezikojnë të anashkalohen në gjetjen e një zgjidhjeje, ndërsa përmend zemërimin e qytetarëve të Kosovës për premtimin e pa mbajtur të liberalizimit të vizave.

“Die Press” shkruan se ka ardhur koha që shtetet anëtare të angazhohen më shumë. Edhe gazeta  “Neue Zürcher Zeitung”, është e mendimit, se presidenti Trump po e le jashtë BE në negociatat për Kosovën. Bashkimi Evropian ende nuk e ka komentuar zyrtarisht iniciativën e Richard Grenell, nënvizon gazeta zvicerane, e cila shton se njoftimi për bisedimet në Uashington, vetëm pak orë para mbërritjes së Lajçak ishte një shuplakë e fortë për evropianë. BE është vetë përgjegjëse për humbjen e influencës së saj në Ballkan, por sipas vëzhgueseve edhe perspektivat afatgjata të iniciativës amerikanë janë të zymta, vijon më tej gazeta.