Shtetet e Bashkuara e kanë përshëndetur memorandumin e bashkëpunimit të Shqipërisë me “Exxonmobile” dhe “Excelerate Energy”, duke i cilësuar si hapa të parë drejt rinisjes dhe zgjerimit të operacioneve në termocentralin e Vlorës.

Në një letër dërguar ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku,  zëvendëssekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker thekson se ky partneritet do të kontribuojë ndjeshëm për pavarësinë energjetike të vendit tonë dhe do ta kthejë Vlorën dhe Shqipërinë në një qendër energjie.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në letër, e mbështesin me forcë Shqipërinë në avancimin e sigurisë energjetike.

“Struktura në Vlorë do të shënojë një hap të rëndësishëm përpara drejt zgjerimit të qasjes së Europës ndaj burimeve të shumëllojshme dhe të qëndrueshme të energjisë. Një Europë e sigurtë në burimet e saj të energjisë është një partner i fuqishëm në arritjen e objektivave tona të përbashkëta në rajon e në mbarë botën”, theksohet në letër.

Reeker thekson se “përpjekjet tuaja për firmosjen e marrëveshjes kanë qenë domethënëse e personalisht, e vlerësoj vizionin tuaj dhe dëshirën për të punuar me firma të rëndësishme amerikane për këtë projekt”.